Presidenti Bullgar, Theodhor Roussinov, ka bërë një vizitë në qytetin e Beratit, ku dhe ka vlerësuar historinë e këtij qyteti. Gjithashtu ai ka shprehur edhe dëshirën, gatishmërinë dhe përkrahjen e shtetit bullgar për aderimin e vendit tonë në NATO dhe Bashkimin Europian.
BERAT- Pasi ka mbërritur në Tiranë ditën e mërkurë në një vizitë zyrtare presidenti bullgar George Parvanov, i shoqëruar nga ambasadori bullgar në vendin tonë Theodhor Roussinov dhe përfaqësues të tjerë diplomatik të shtetit bullagar në Shqipëri, ka mbërritur mesditën e sotme në bashkinë e qytetit të Beratit, ku është pritur nga përfaqësuesit pushtetit vendor të këtij qyteti. Takimi i parë i Presidentit bullgar ka qenë në sallën qendrore të bashkisë së qytetit, ku fjalën e hapjes me këtë rast e ka mbajtur kryebashkiaku i qytetit të Beratit, Fadil Nasufi. Ai i ka njohur miqtë me qytetin muze të Beratit dhe vlerat e tij, si një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë. Kryebashkiaku Nasufi është shprehur se roli i shtetit bullgar ka qenë shumë aktiv në qytetin e Beratit në realizimin e disa projekteve të rëndësishme. Nasufi është shprehur se Berati është qyteti ku janë gjetur dorëshkrimet më të hershme të krishtërimit siç janë kodikët, dhe ku paraqitet ecuria 2400-vjeçare e zhvillimit të të gjitha kulturave që nga periudha parakristiane, romake, bizantine, turke etj. Nasufi ka theksuar se shumë biznesmenë beratas operojnë prej vitesh me shtetin bullgar, ndërkohë që 12 studentë të këtij qyteti studiojnë në universitet bullgare. Presidenti i Bullgarisë Georgi Parvanov është shprehur se për këtë qytet të lashtë ka lexuar shumë dhe ka dëgjuar të flitet për vlerat e tij. Presidenti Parvanov ka theksuar se ka pasur bisedime të frytshme me presidentin dhe kryeministrin shqiptar, me të cilët ka shprehur edhe dëshirën, gadishmërinë dhe përkrahjen e shtetit bullgar për aderimin e vendit tonë në NATO dhe Bashkimin Europian. Duke shprehur kënaqësinë për futjen e Beratit në listën e trashëgimisë kulturore botërore, UNESCO, Parvanov e ka krahasuar Beratin me një qytet të ngjashëm turistik në Bullgari, duke shtuar se vlerat arkitektonike dhe muzeale të këtij qyteti e pasqyrojnë mjaft mirë lashtësinë e tij në të gjitha epokat historike.Vizita e Presidentit të Bullgarisë George Parvanov ka vijuar më tej në kalanë e Beratit, me një vizitë në muzeun "Onufri", ku edhe ka lënë një shënim me shkrim në librin e kujtimeve të këtij muzeu.
(O.Zh/ BalkanWeb)