13 korrik 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim lamtumire Ambasadorin e Katarit në Tiranë, zotin Yousuf Hassen Al-Saai, në mbyllje të misionit të tij diplomatik në Shqipëri.

Presidenti Nishani vlerësoi angazhimin dhe kontributin e Ambasadorit Al-Saai në nxitjen dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore e të bashkëpunimit me Shtetin e Katarit dhe me Emirin e Katarit, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë shkëmbimin e vizitave në nivelet më të larta të realizuara edhe me kontributin e drejtpërdrejtë të Ambasadorit Al-Saai. Në mënyrë të veçantë Presidenti Nishani vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer që Babai Emir i Katarit dhe Lartësia e Tij, Emiri i Katarit i kanë dhënë zhvillimit ekonomiko-social në Shqipëri.

Kreu i Shtetit e uroi Ambasadorin Al-Saai për vijimin me sukses të misionit të tij të ardhshëm diplomatik në Azerbajxhan, si dhe shprehu besimin se ai do të mbetet një mik i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve.