11 korrik 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim lamtumire Ambasadorin e Malit të Zi, Sh.T.Z. Ferhat Dinosha, në mbyllje të misionit të tij diplomatik në Shqipëri.

Presidenti Nishani vlerësoi angazhimin aktiv dhe kontributin e Ambasadorit Dinosha në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve mes Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi gjatë katër viteve të shërbimit të tij diplomatik në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë Presidenti Nishani e vlerësoi përfaqësimin diplomatik të Malit të Zi në Shqipëri me një ambasador me origjinë shqiptare, si shprehje e qartë e vullnetit të autoriteteve malazeze për t'i thelluar më tej marrëdhëniet e miqësisë mes dy vendeve.

Kreu i Shtetit, duke e uruar Ambasadorin për vijimin me sukses të misionit të tij të ardhshëm diplomatik në Kosovë, shprehu bindjen se kontributi i tij do të vijojë të jetë shumë domethënës në funksion të nxitjes së një klime të mirë bashkëpunimit të Malit të Zi me fqinjët dhe në nivel rajonal.