30 gusht 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim lamtumire Ambasadorin e Norvegjisë me rezidencë në Prishtinë, zotin Jan Braathu, në mbyllje të misionit diplomatik në Shqipëri.

Presidenti Nishani vlerësoi rolin dhe kontributin 4-vjeçar të Ambasadorit Braathu në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve të Norvegjisë me Shqipërinë, duke evidentuar në mënyrë të veçantë vëmendjen dhe mbështetjen për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe të kapaciteteve përkatëse në Shqipëri.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin miqësor mes dy vendeve por theksoi se është shumë e rëndësishme që bashkëpunimi ekonomik të jetë edhe më dinamik. Presidenti Nishani përgëzoi praninë e suksesshme të kompanive të mëdha e të mirënjohura energjetike norvegjeze si Statkraft dhe Statoil në Shqipëri, duke shprehur besimin se kompani të tjera norvegjeze do të ndjekin shembullin e tyre edhe në fusha të tjera.

Presidenti i Republikës i uroi Ambasadorit Braathu suksese të mëtejshme në përmbushjen e misionit të tij të ri si Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, i bindur se eksperienca dhe ekspertiza e tij e gjatë diplomatike me rajonin e Ballkanit Perëndimor do t'i shërbejë edhe në misionin e ri.