Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim lamtumire Ambasadorin e Republikës Arabe të Egjiptit, zotin Ahmed Hassan Abdellah, në mbyllje të misionit diplomatik në Shqipëri.
Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e vyer 4-vjeçar të dhënë nga Ambasadori Abdellah në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, duke i konsideruar ato historike dhe shumë të mira, veçanërisht në këtë vit që u kremtua dhe 60-vjetori i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu kontributin personal të dhënë nga Ambasadori Abdellah dhe Ambasada e Egjiptit në Tiranë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Egjipti, në qershor 2013, duke e konsideruar si një kontribut shumë domethënës për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.
Kreu i Shtetit e konsideroi gjithashtu Egjiptin si një partner shumë të rëndësishëm të Shqipërisë jo vetëm në nivel rajonal, por edhe në nivel global, si dhe vlerësoi traditën shumë të mirë të bashkëpunimit në forumet dhe organizatat ndërkombëtare.
Presidenti i Republikës i uroi Ambasadorit Abdellah suksese të mëtejshme në karrierën e tij diplomatike pas misionit në Shqipëri, si dhe shprehu besimin se ai do të mbetet gjithmonë një mik i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve.