26 gusht 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim lamtumire Ambasadorin e Republikës Popullore të Bangladeshit me rezidencë në Romë, zotin Modammed Shahdat Hossain, në mbyllje të misionit diplomatik në Shqipëri.

Presidenti Nishani vlerësoi vëmendjen dhe angazhimin e Ambasadorit Hossain për rreth dy vjet, si Ambasador jo rezident në Tiranë, në nxitjen dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe nivelin e mirë të bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy vendeve në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit me ngjyrime fetare, duke theksuar se në këtë luftë të gjithë duhet të jemi të bashkuar.

Presidenti i Republikës e uroi Ambasadorin Hossain për vijimin me sukses të misionit të tij diplomatik të ardhshëm në Bruksel, duke shprehur besimin se ai nuk do ta harrojë asnjëherë Shqipërinë dhe shqiptarët.