Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim lamtumire Ambasadorin e Selisë së Shenjtë në Tiranë, Nuncin Apostolik Imzot Ramiro Moliner Inglés, në mbyllje të misionit të tij diplomatik në Shqipëri.
Presidenti Nishani e falënderoi Nuncin Apostolik për kontributin e vyer 8-vjeçar në Shqipëri, si përfaqësuesi më i lartë diplomatik i Selisë së Shenjtë dhe njëkohësisht Dekan i Trupit Diplomatik, për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, të cilat Presidenti i vlerësoi si të shkëlqyera dhe me një rëndësi shumë të veçantë për Shqipërinë.
Kreu i Shtetit vlerësoi angazhimin dhe punën konkrete të Nuncit Apostolik për realizimin me sukses të vizitës historike të Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, në shtator 2014, si dhe e falënderoi atë për mbështetjen e proceseve të shenjtërimit të Nënë Terezës dhe të lumturimit të 40 martirëve të Kishës Katolike shqiptare, që do të finalizohen respektivisht në fillim të muajit shtator dhe në fillim të muajit nëntor të këtij viti.
Presidenti i Republikës i uroi Nuncit Apostolik jetë sa më të gjatë e të lumtur, pas një periudhe gati gjysmë shekullore në shërbim të Selisë së Shenjtë dhe jetës shpirtërore të njerëzve, si dhe e siguroi se ai do të mbetet gjithmonë një mik i mirë i shqiptarëve, që me punën e palodhur ka promovuar besimin dhe harmoninë fetare në Shqipëri.
Nunci Apostolik, Imzot Ramiro Moliner Inglés është dekoruar nga Presidenti i Repulikës, më 23 janar 2015, me Dekoratën "Nënë Tereza" me motivacionin: "Për kontributin e veçantë e të çmuar në forcimin e lidhjeve dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, mbështetjen e procesit të lumturimit të klerikëve shqiptarë të martirizuar nga regjimi komunist, si dhe në promovimin e harmonisë ndërfetare të kombit shqiptar."