Gjatë mbledhjes së mbajtur të mërkurën në Strasbourg, Parlamenti Evropian ka kërkuar organizimin e “zgjedhjeve të lira dhe të rregullta” në Rusi, për shkak të numrit të madh të parregullsive që shënuan zgjedhjet e 4 dhjetorit.

Përmes një rezolute joobliguese, të miratuar pak para fillimit të samitit mes BE’së dhe Rusisë, Parlamenti Evropian “kërkon organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të rregullta, pasi që të regjistrohen të gjitha partitë opozitare”.

"Me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve u pa se Rusia nuk i respektoi normat zgjedhore të OSBE’së”, theksuan eurodeputetët, duke dënuar edhe mbushjen e kutive të votimit “me fletëvotime të shumta” dhe arrestimin e qindra aktivistëve opozitarë që po tentonin të demonstronin në ditën e zgjedhjeve dhe ditëve në vazhdim.

Gjithashtu, Parlamenti Evropian përshëndeti demonstratat në Rusi, si dhe shprehjen e vullnetit të popullit rus për më shumë demokraci, por edhe dënoi ashpër sjelljen e policisë ndaj demonstruesve. Paralelisht, parlamenti Evropian bëri thirrje për një realizim urgjentë të hetimeve për mashtrim dhe për frikësim, si dhe dënimin e shpejtë të personave përgjegjës.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, theksoi të martën para Parlamentit se zyrtarët evropianë do të shfrytëzojnë takimin e tyre me presidentin e Rusisë, Dmitry Medvedev, për t’ia adresuar atij “shqetësimet për problemet që u shfaqën gjatë zgjedhjeve”.

Ndryshe, samiti dyditor ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Rusisë, filloi të mërkurën mbrëma, me një darkë pune, pjesë e së cilës ishin presidenti i Këshillit të Evropës, Herman van Rompuy, dhe presidenti rus, Dmitry Medvedev. Është ky samiti i fundit i Medvedev me udhëheqësit e BE’së para se të largohet nga ky post dhe t’i lejojë kryeministrit aktual, Vladimir Putin, fillimin e garës për rikthim në Presidencë.

Të enjten ndërkaq u njoftua se autoritetet e Moskës kanë lejuar mbajtjen e mitingut të madh të opozitës, të quajtur “Për Zgjedhje të Ndershme”, i paraparë të mbahet më 24 dhjetor, në qendër të Moskës. Qeveria e kryeqytetit rus ka lejuar tubimin e 50,000 njerëzve në miting, aq sa ishte edhe kërkesa e organizatorëve.