Autori i Lajmit: Redaksia


Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka prezantuar Planin e Veprimit për disiplinimin e aktivitetit minerar në mbledhjen e Task-Forcës së Bashkisë Bulqizë, e cila do të zbatojë këtë plan sipas urdhrit të përbashkët të dikasterit që ai drejton, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Brendshme dhe të Punës. Në këtë mbledhje, ministri Prifti ka sqaruar se qëllimi i Planit të Veprimit është parandalimi i rrezikut për aksidentet në miniera dhe dhënia fund e shfrytëzimit të kromit në mënyrë të paligjshme. “Vetë kryeministri ka marrë shumë shqetësime që vijnë nga kjo zonë dhe ka qenë porosi e tij që ne katër ministrat, të ndihmojmë në disiplinimin e këtij aktiviteti në këtë zonë minerare. Jemi mbledhur bashkë, kemi bërë një Plan Veprimi që e kemi firmosur dhe sot bëjmë këtë paraqitje të tij, i cili do tu vihet në dispozicion, për të nxjerrë secili prej jush detyrat përkatëse. Këtu janë të specifikuara detyrat e të gjithë aktorëve, duke filluar që nga prefekti, pushteti vendor, policia, tatimet, institucionet e inspektimit të minierave, të punës. Të gjitha institucionet vendore kanë nga një rol. Qëllimi kryesor i këtij Plan Veprimi është sigurimi i jetës së njerëzve. Mbi të gjitha ne kemi marrë këtë iniciativë për të garantuar dhe për të siguruar jetën e minatorëve dhe të njerëzve që punojnë këtu",- ka pohuar Prifti. Sipas tij, objektivi i dytë madhor që synohet të arrihet nëpërmjet zbatimit të Planit të Veprimit është disiplinimi i aktivitetit minerar në zonën e Bulqizës, kryerja e tij në përputhje me ligjin. Në këtë kontekst, ai theksoi se rezervat e kromit përbëjnë një nga pasuritë më të mëdha që ka Shqipëria, ndaj ato duhet të përdoren në të mirën e vendit dhe komunitetit. "Kjo pasuri kombëtare i shërben komunitetit, por mirë është që ti shërbejë në mënyrë të ligjshme dhe duke garantuar jetën e komunitetit”,- ka përfunduar ministri i Ekonomisë. Sipas ministrit të Ekonomisë, arsyeja kryesore që cenohet siguria e jetës së minatorëve është aktiviteti i jashtëligjshëm. Ndaj ai kërkoi që aktiviteti i jashtëligjshëm në zonën minerare të Bulqizës të marrë fund në mënyrë urgjente.



Ky lajm është publikuar: 16/05/2010