Galeria “Brick Lane” në Londër dikur por edhe sot ishte nikoqire e emrave të mëdhenj të artit si : Banksy, Tracy Emin, Gavin Turk, Bob dhe Rober Smith, etj etj.
Nga kjo galeri këta emra që i përmendëm morën hov dhe u katapultën për t’u transferuar në galeri të mëdha si Tate apo Saatchi.
Ndërsa që nga nesër galeria londineze “Brick Lane”, do të jetë nikoqire e një artisti nga Kosova, Lorik Sylejmani.
“Brick Lane” është i hapur për promovimin e çdo artisti të ri dhe të huaj ndërsa rrëfimi i Lorikut kishte filluar qysh para dy viteve.
“Unë para dy viteve kur e kam vizituar këtë galeri dhe rastësisht e kam pas katalogun tim me vete. Dhe atë kohë ekspozita “The art in Mind” ku edhe unë ekspozoj ka qenë e hapur. I prezantova punët e mia dhe më than printoj dhe sjelli për ekspozitë. Atëherë i kishsa dy ditë para se të vija në Prishtinë”, tregon Sylejmani i cili pas dy viteve ai po prezantohet në këtë galeri.
Sylejmani do të paraqitet në këtë galeri me 4 piktura.
“Janë piktura të punuara dhe dizajnuara në bazë të këngëve të Lurid & Lorraine Dyson”, tregon Sylejmani.
Punimet e tija janë realizuar qysh në vitin 1998 si temë diplome në Fakultetin e Arteve mirëpo “pas 5 viteve kam filluar me i ritushu dhe me i përpunu në kompjuter”.
“I shtypi dhe pastaj mbi to punoj prapë”, tregon Sylejmani.
Ekspozita do të hapet me 14 prill dhe mbyllet me 26 prill. Mirëpo ekspozimi i Sylejmanit nuk ndalet me kaq. Ai do të prezantohet edhe me një video në ekspozitën lëvizëse “limuzine art in London” e cila do të mbahet po ashtu në Londër në fund të muajit prill.“Ideja është që mbi një limuzinë do të vendoset një video bim ku gjatë një nate do të sillet në qendër të Londrës ku do të shfaqen videot”, tregon ai.
Video e Sylejmanit quhet Bankrot Rabin, i bazuar në emrin dhe këngën e bendit kosovarë i cili ka qenë prezent në skenë në vitet e 80-ta.
Në video e Sylejamanit paraqiten disa xhirime të tija në moshën e njomë por që e gjitha lidhet me historinë dhe ndikimin e dy bendeve që kanë pasur tek ai.
“Më kujtohet vitet e 80 –ta kur në televizionin e Zagrebit është transmetuar video spoti i këngës Atmosphere i Joy Division dhe pata mbetur I hutuar. Të nesërmen në radio Prishtinë e pata dëgjuar këngën Rabin. Përnjëherë pata filluar të mendojë ndryshe dhe mu patën hapur disa vizione të menduarit tim për të ardhmen. E pash që ekziston diçka tjetër përveç asaj muzikë që na u është servuar në Kosovë në atë kohë”, tregon Sylejmani.
Bendi Bankrot ka dy këngë të realizuara por asnjë video spot andaj Sylejmani thotë se ka vendosur që me punimet e tij dhe xhirimet e një dasme të familjes së tij ta bëjë një video që është një përkushtim për bendin. “Joy divizion e kishte spotin por Bankrot e ksihet këngën por nuk kishte video spot dhe unë e kam bërë si një përkushtim”, tregon ai.