Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Uashington, 10 dhjetor 1961 – Prishja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik rriti sot shpresat e Perëndimit për çarje të reja në botën komuniste. Fundi i lidhjes mes dy vendeve u zbulua nga Tirana dhe u konfirmua më pas nga ambasada shqiptare në Moskë ditën e djeshme. Një zëdhënës i ambasadës tha se ambasadori shqiptar kishte fluturuar drejt Tiranës disa javë më parë. Ajo pritej që kur Sekretari i Parë i PKBS-së, Nikita Hrushov, denoncoi gjatë Kongresit të Partisë në tetor udhëheqësit shqiptarë si stalinistë dhe i akuzoi ata se kërkonin të përçanin unitetin komunist. Kjo ndarje ishte më e madhja brenda kampit që kur Stalini përjashtoi Jugosllavinë në Kominformi më 1948. Prishja zyrtare e konfirmuar nga Tirana nuk pohohet nga Moska. As agjencia sovjetike e lajmeve “Tass”, por as edhe Radio Moska nuk e përmendën tërheqjen e trupës diplomatike shqiptare nga Rusia.



Jashtë marrëveshjes?



Ekspertët amerikanë mendojnë se hapi tjetër logjik do të ishte përjashtimi i Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, aleancës ushtarake të vendeve komuniste evropiane, e cila drejtohet nga Moska. SHBA pret gjithashtu dhe prishje të marrëdhënieve të Tiranës me satelitët evropianë të Bashkimit Sovjetik.



Problemi i ndihmës



Por amerikanët nuk bënë asnjë parashikim që Shtetet e Bashkuara shumë shpejt mund ti vinin në ndihmë Shqipërisë, ashtu siç ishte bërë me Jugosllavinë Komuniste dhe Poloninë, (kjo e fundit është ende një anëtare e bllokut sovjetik). Deri tani Shqipëria ka marrë ndihma nga Kina e Kuqe dhe udhëheqësi komunist shqiptar, Enver Hoxha, ka thënë se nuk do të pranojë në mënyrë kategorike ndihmë nga Perëndimi. Zyrtarët e Uashingtonit u treguan të kujdesshëm për të konstatuar se tërheqja e përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë, e bërë zyrtare ditën e djeshme nga Agjencia Telegrafike Shqiptar (ATA), ishte thjesht përkeqësimi i mëtejshëm i konfliktit mes dy vendeve që është përshkallëzuar këto kohët e fundit.



Shqipëria “e ashpër”



Komunistët shqiptarë i janë përmbajtur me përpikëri linjës së fortë të udhëheqjes komuniste krahasuar me doktrinën më fleksibël të Nikita Hrushovit. Shqiptarët kanë mbështetur teorinë se lufta me fuqitë kapitaliste është e pashmangshme. Shumë i pritshëm ishte dhe reagimi i Kinës Komuniste, deri më sot mbrojtësja e interesave të Shqipërisë për shkak se prishja ruso-shqiptare lidhej direkt dhe me rivalitetin ideologjik të Pekinit me Moskën. Nëse kinezët do të ndjekin rrugën e tyre të denoncimit kundrejt Moskës dhe do të ruajnë miqësinë me shtetin e vogël ballkanik, shenjat e një acarimi të mëtejshëm në kampin komunist do të ishin të kënaqshme, sipas këndvështrimit amerikan.



Prova



Zëvendëssekretari i Shtetit, Xhorxh Boll, e shikon ndarjen Moskë-Tiranë si “provë të një pakënaqësie gjithnjë e më të madhe dhe mosmarrëveshjesh në bllokun komunist”. “Kjo tregon se do të kemi një tjetër çarje në kampin e kuq si pasojë... në atë që në pamje të parë duket si një strukturë monolite”, - tha numri 2 i diplomacisë amerikane në programin televiziv natën e shkuar “Takim me median”. Autoritetet amerikane nuk ishin të përgatitura për të thënë nëse Shqipëria ishte larguar vetë nga blloku sovjetik, ashtu siç kishte bërë Jugosllavia, pasi ishte përjashtuar nga Kominformi në vitin 1918. Në përgjithësi, Uashingtoni i konsideron anëtare të bllokut sovjetik, ato vende politika e jashtme e të cilave kontrollohet nga Moska. Rusët mendojnë tani se Shqipëria “po nxiton në duart e imperialistëve”, duke dashur ti po thotë Perëndimit. Kjo është po kaq e vërtetë sa Moska i frikësohet një sulmi të Gjermanisë Perëndimore.



Kërkojnë grurin e SHBA-së



Kina dhe Shqipëria po ndjejnë gjithnjë e më shumë mungesën e ushqimit dhe kanë kërkuar të blejnë mbetjet e drithërave amerikane. Pekini flet për nevoja të barabarta me 6 milionë tonë drithë (rreth 200 milionë shinikë) nga të cilat 80 deri në 90 për qind do të jenë grurë. Nga ana tjetër, Shqipëria kërkon deri në 300 mijë tonë grurë për të zëvendësuar porosinë e lënë përgjysmë nga Hrushovi, i cili refuzon të dërgojë ngarkesën si shenjë hakmarrjeje ndaj Enver Hoxhës. Të dyja vendet komuniste propozojnë të paguajnë me këste parash ose me ar grurin amerikan, me hua 5 ose më shumë vjeçare. Negocimet do të bëhen përmes Britanisë, e cila ka marrëdhënie diplomatike me të dyja vendet komuniste. Momentalisht, anglezët janë duke negociuar për shitjen e 6 avionëve transportues për Pekinin, për të zëvendësuar avionët e tërhequr nga Rusia.





Ky lajm është publikuar: 16/05/2010