Administrata Tatimore e Kosovës i ka bllokuar xhirollogarinë e klubit futbollistik të Prishtinës, president i së cilit është biznesmeni Remzi Ejupi, pas borxheve të krijuara nga mospagesa e tatimeve, tatimeve në të ardhura për punëtorët dhe kontributeve pensionale.




Zyrtarisht, drejtues të Administratës Tatimore të Kosovës, nuk kanë pranuar të komentojnë për rastin, duke u thirrë në ligje, që sipas tyre nuk lejojnë të publikohet emri i tatimpaguesve individual, pa pëlqimin e palës.

AdPlatformZone = {id: "f95795dd0",format: "410x0"};


“Në bazë të Ligjin Nr 03/L-222 – për Administratën Tatimore dhe Procedurat, përkatësisht nenin 84 që përcakton Konfidencialitetin e informatave tatimore, informatat e tilla konsiderohen konfidenciale, përveç nëse aplikohet paragrafi 3 i po të njëjtit nen, kur tatimpaguesi mund të lirojë çdo person nga detyrimi i konfidencialitetit. Lirimi i tillë duhet të jetë me shkrim dhe mund të kufizohet në dhënien e informatave të caktuara ose t’i shfrytëzojë për një qëllim të veçantë”, tha Valentina Bytyqi Sefa, Zyrtare për komunikim me Publikun në Administratën Tatimore të Kosovës.




Por, burime e sigurta brenda Administratës tatimore të Kosovës, kanë konfirmuar se klubit futbollistik Prishtina i është bllokuar xhirollogaria bankare.

“Informacioni për bllokimin e xhirollogarisë bankarë të Klubit të Futbollit Prishtina është i saktë. Xhirollogaria bankare është bllokuar për shkak të mospagesë së detyrimeve që ka klubi, ku hyjnë edhe pagesat e tatimeve për punëtorët, kontributet pensionale “, tha një menaxher i lartë i Administratës Tatimore të Kosovës për Sporti 1, duke mos preferuar të citohet zyrtarisht.




Informacioni për bllokimin e xhirollogarive të klubit futbollistik Prishtina ka ardhur nga shqetësimi i disa punëtorëve të klubit, të cilët kanë disa muaj që nuk kanë marrë pagat. Ata kanë rrëfyer megjithse klubi i ka ndalur paratë nga pagat për tatimet dhe kontributet pensionale, ato asnjëherë nuk kanë shkuar në destinacion.




“Prej muajsh jemi pa paga. Klubi po shkatërrohet. Vetëm lojatërëve i janë dhënë pak para që mos të bëhet zhurmë mediale ndërsa ne punëtorët prej muajsh jemi pa paga”, tha një punëtor i Klubit të futbollit Prishtina.




Nënkryetari i Prishtinës, Ahmet Kurtolli tha se nuk ka dijeni në lidhje me këtë. “Për momentin jam jashtë vendit dhe nuk kam informatë, nëse kjo ka ndodh është dashur të infomrohem. Por gjithsesi është drejtori i klubit, Sokol Krasniqi ai i cili mund të ju informojë më shumë”, tha Kurtolli për Sporti 1.




Vet drejtori, Krasniqi gjatë tërë ditës nuk e ka hapur telefonin, ndonëse e kemi telefonuar nga tre numra të ndryshëm.




Klubi i futbollit Prishtina është i regjistruar si SHPK (Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar) dhe drejtuesit e saj deri më tani janë deklaruar vazhdimisht nëpër medie se janë duke i kryer me rregull të gjitha obligimet tatimore.