13/10/2009 Atentatorit iu bllokua më pas arma. Policia: Në kërkim, ngjarja për motive të dobëta
ELBASAN- Atentat me armë zjarri ndaj një biznesmeni në Elbasan. Ngjarja u regjistrua rreth orës 14.45 në rrugën “Rinia” pranë universitetit të këtij qyteti.
Atentati
Shtetasi Ahmet Zena 32 vjeç ka qëlluar me armë ndaj shtetasit Fatos Balla rreth 40 vjeç, i cili në atë çast ndodhej në pallatin në ndërtim në pronësi të tij. Ahmet Zena udhëtonte me një automjet tip me targë MG VL 44 dhe pasi ka zbritur nga makina ka qëlluar në drejtim të Fatos Ballës. Biznesmeni është plagosur në njërën këmbë pasi pistoleta është bllokuar dhe ka nxjerrë një plumb të vetëm. Atentatori ka tentuar të qëllojë sërish, por ka qenë e pamundur. Më pas ai ka hedhur armën në një pus në afërsi të pallatit dhe është larguar në këmbë me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke braktisur edhe mjetin tip Benz. Në vendngjarje kanë shkuar forca policie. I pranishëm në operacion ka qenë drejtori i policisë së qarkut Aleks Hajdari. Pas punës së shpejtë operative policia ka identifikuar autorin e atentatit dhe e ka shpallur atë në kërkim. Operacioni ka vazhduar me bllokimin e zonës përreth dhe duke vendosur postblloqe në rrugët hyrëse dhe dalëse të Elbasanit. Ende nuk dihen shkaqet e këtij atentati. Sipas drejtorit të policisë Aleks Hajdari, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Megjithatë, janë ngritur disa pista hetimi. Në cilësinë e provës materiale është bllokuar arma e zjarrit dhe automjeti tip Benz. Çështja po ndiqet nga Prokuroria e Elbasanit. Policia po punon për kapjen e Ahmet Zenës. Ndaj autorit është ngritur vepra penale e vrasjes me armë zjarri. Po punohet për kapjen e tij.