TIRANE - Protesta e sotme e demokratëve do të nisë në orën 12:00 me një marshim nga sheshi "Skënderbej" për të vijuar më pas në bulevardin përpara Kryeministrisë. Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, në pritje për të nisur marshimin, për të kërkuar uljen e çmimit të energjisë, uljen e taksave, mosmiratimin e buxhetit 2015, papunësisë, varfërisë, rritjes së pasigurisë në vend etj.
Mësohet se në momentin që kryetari demokrat Lulzim Basha do t'u bashkohet protestuesve, marshimi do të zhvendoset përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe do të ndalet para godinës qeveritare. Para Kryeministrisë është instaluar dhe një podium ku do të flasin qytetarë të ndryshëm nga mbarë vendi.
Protestën do ta hapë kreu i Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalaja dhe më pas do të flasin sindikalistë të tjerë. Ata do t'u lënë radhën qytetarëve të ndryshëm, të cilëve u është shembur shtëpia e hipotekuar pa paralajmërim, apo të papunë që nuk mbajnë dot familjen.
Pas 7 folësve do të marrë fjalën kreu i PD-së Lulzim Basha i cili do të mbyllë edhe protestën e datës 22 nëntor dhe do të lajmërojë shpërndarjen e saj në të gjitha qytetet e vendit.
Policia e Tiranës ka marrë masat për sigurinë e rendit dhe qetësisë gjatë zhvillimit të protestës, ndërkohë që është bllokuar totalisht qarkullimi i mjeteve prej orës 11:00 deri në orën 16:00 në sheshin "Skënderbej", bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në sheshin "Nënë Tereza" dhe në sheshin "Italia".
PROTESTUESIT MBLIDHEN NE SHESHIN “SKENDERBEJ”, PRITET MARSHIMI
Ora 11:56 - Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, në pritje për të nisur marshimin drejt godinës qeveritare, për të kërkuar uljen e çmimit të energjisë, uljen e taksave, mosmiratimin e buxhetit 2015, papunësisë, varfërisë, rritjes së pasigurisë në vend etj.
PROTESTUES NGA RRETHET NISEN DREJT TIRANES
Ora: 08:35 - Protestuesit e rretheve, të cilët do t’i bashkohen protestës në Tiranë, janë nisur me autobusë të shoqëruar nga krerët lokalë të PD-së si dhe deputetët e zonave respektive. Mësohet se nga Dibra janë nisur rreth 1500 persona, ndërsa 250 protestues të tjerë po udhëtojnë me autobusa e makina personale nga Berati drejt kryeqytetit. Protestës do t’i bashkohen edhe 1500 qytetarë nga Shkodra. Ndërkohë qytetarë të shumtë po udhëtojnë drejt Tiranës me autobusë, furgona e makina personale nga Korça, Fieri e qytete të tjera të vendit.
PROTESTA, JA AKSET QË DO TE BLLOKOHEN
oRA 08:00 - Policia e Tiranës ka publikuar një ditë më parë masat e marra për ruajtjen e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas protestës së Partisë Demokratike, që parashikohet të nisi sot në orën 12:00.
Sipas një komunikate për shtyp, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka marrë të gjitha masat për rendin e sigurinë për zhvillimin normal të marshimit protestë dhe duke filluar nga ora 10.00 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në sheshin “Skënderbej”, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin “Nënë Tereza”.
Do të bllokohet totalisht qarkullimi i mjeteve duke filluar nga 11.00 deri në orën 16.00 të ditës së sotme dhe nuk do të lejohet parkimi në sheshin “Skënderbej”, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Nënë Tereza” si dhe Sheshin “Italia”.
Policia e kryeqytetit ka marrë të gjitha masat për zhvillimin normal të marshim – protestës para, gjatë dhe në përfundim të këtij aktiviteti politik.
BASHA: MISION I MADH. BERISHA: DITA E FITORES NDAJ KLIKËS NË PUSHTET
Ora 07:00 - Një ditë para protestës, kreu demokrat Lulzim Basha gjatë një takimi me të rinjtë demokrat u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që t'i bashkohen protestës së 22 nëntorit. "Protesta ka mision të madh të bashkojë zërin e opozitës me zërin e grupeve të interesit, sindikatave dhe zërin e rinisë për t'i thënë jo rritjes së çmimit të energjisë, jo rritjes së taksave, jo rritjes së tarifave për studentët, jo shtetit policor, por punë dhe luftë kundër krimit e korrupsionit e barazi për të gjithë shqiptarët. Ti themi jo buxhetit të 2015-ës të qeverisë Rama-Meta",- nënvizoi Basha. Më tej ai theksoi se kudo ndihet mjerimi dhe akuzat për gjendjen e rëndë në të cilën po kalojnë shqiptarët.
Edhe ish-kryeministri Sali Berisha ftoi dje të gjithë qytetarët shqiptarë që të protestojnë sot kundër varfërisë, dhunimit e mashtrimit të qeverisë Rama. "Të protestojmë kundër varfërimit, dhunimit dhe mashtrimit tonë që ne nuk i meritojmë. Të gjithë në protestën tonë mbarëpopullore. Nesër (sot) dita e fitores sonë mbi klikën në pushtet që po rrënon shqiptarët çdo ditë!", - shkruan Berisha në "Facebook".
(er.nu/BalkanWeb)