Rikthimi i baletit "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" në skenën e TKOB është pritur ftohtë nga publiku. Salla e mbushur plot me spektatorë është gjendur paksa e habitur me këtë rivënie pothuajse pas 25 vjetësh.



Versioni i ripunuar nga Laura Frigato në bashkëpunim me koreografin vendas, baletmaestrin Agron Aliaj, jo vetëm ishte më i shkurtër se ajo që Aliaj ka vënë në skenë në vitet tetëdhjetë, po erdhi shumë më modern.





Nuk kishte lëvizje të baletit klasik, po edhe kërcim, veprim dhe aktrim. Trupa e balerinëve mbajti të mbërthyer publikun për gati dhjetë minutat e para të shfaqjes. Lëvizjet e tyre të prera pa muzikë na futën në historinë e gjeneralit dhe të një prifti në tokë të huaj. Filloi e zbehtë dhe e ulët muzika e Nikolla Zoraqit.



Një tingull i cili rritej çdo moment, në të njëjtën kohë me tensionin e ngjarjes. Një muzikë aq mbresëlënëse, e mrekullueshme.





Emocionuese ishte prania në skenë e koreografit Agron Alia. Figura e tij në skenë, na bëri të marrim me mend elegancën e balerinit të dikurshëm. Ishte surprizë shfaqja e tij në rolin e përkthyesit të Gjeneralit.





Skenografia e Valerio Ferrarit ishte një tjetër element i cili i jepte më shumë dramaticitet baletit. Në një numër të madh shiritash të bardhë, projektoheshin grimca bardhë e zi të cilët të jepnin idenë e një vendi pa kohë dhe përherë nën shi.





Projektimi i ngadaltë i kafkave dhe skeleteve, mbi një sfond fotografish të shumta, shoqëronte "dialogët" që bëheshin në skenë.





Shfaqja arriti kulmin, në momentin e dasmës. Muzika e Nikolla Zoraqit, një ndërthurje e klasikes me muzikën popullore shkriu në një të vetme trupën e baletit me atë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve.



Në asnjë prej përfundimit të pjesëve nuk u dëgjua asnjë duartrokitje e publikut, madje edhe në fund të shfaqjes kur protagonistët përshëndetën publikun, duartrokitjet ishin të pakta.



Ata që janë frekuentues të rregullt të Teatrit të Operës dhe Baletit me siguri e kanë vënë re dhe e kanë krahasuar reagimin e publikut me shfaqje qoftë edhe të rëndomta me atë që pamë të mërkurën. Ishin duartrokitje që i ngjanin një vale të dobët e cila u shua shumë shpejt.



----------------------------------------------------------------------------------



Historia e muzikës "Fado" në ekran





Akademia e Filmit dhe Multimedias "Marubi" në bashkëpunim me Ambasadën Spanjolle prezanton sot në orën 19:00 filmin "Fado" të regjisorit spanjoll Carlo Saura. Drama tregon historinë "Fado", një prej kulturave muzikore të Portugalisë e cila lindi në fillim të shekullit të 19.



Ajo karakterizohet nga baladat tronditëse, vajtimet për dashuritë e humbura dhe ëndrrat e shkatërruara. Filmi, prodhim i vitit 2007 është në gjuhën portugeze dhe shoqërohet me titra në anglisht. Zgjat 88 minuta.