Policia e njihte si njeri problematik dhe fakti që mbante një armë pa leje në banesë i ka vendosur në alarm Blutë e Matit që kanë vendosur të arrestojnë Geg Gjinin.


22-vjeçari, banues në Stojan-Ulëz kishte shkaktuar një sërë konfliktesh familjare më parë dhe ata që e kanë denoncuar në polici kanë qenë qytetarë të zonës, pasi kishin dyshime se mbante një armë dhe mund të shkaktonte ndonjë tragjedi të mundshme.


Policia në banesën e të riut sekuestroi një armë zjarri automatik dhe 27 fishekë.


“Arrestimi i tij u bë pasi në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë policore dhe ato të ardhura nga qytetarët se ky shtetas dyshohej se kohët e fundit mund të kishte gjetur dhe mbante armë zjarri pa leje, nisur edhe nga fakti që ky shtetas ishte problematik në marrëdhëniet familjare i shoqëruar disa herë në Polici për konflikte në familje, si dhe për të parandaluar ndonjë ngjarje të rëndë në familje, Policia e Matit ka organizuar punën duke ushtruar kontroll në banesën e tij , ku ka gjetur të fshehur në një magazinë një armë zjarri automatik me 27 fishekë”, sqaron policia.


Materialet proceduriale do ti referohen Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Mat, për veprën penale ” Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.


21 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)