Policia e Shtetit del me deklaratë lidhur me protestat e studentëve gjatë ditëve të fundit, ku më e madhja kulmoi të martën para ministrisë së Arsimit, për tu mbyllur te Kryeministria.


Në përgjigje të interesit të disa mediave, Policia e Shtetit sqaron se gjatë protestave të zhvilluara gjatë ditëve të fundit në Tiranë dhe në disa qarqe të tjera të vendit, punonjësit dhe strukturat e saj janë angazhuar në një vëllim të shtuar shërbimesh.


Nënvizohet se uniformat blu kanë pasur si qëllim garantimin e kushteve për ushtrim të lirë dhe të pa cenuar të së drejtës për protestë dhe për ruajtjen rendit publik e të qetësisë së përgjithshme të qytetarëve.


Në zbatim të procedurave standarde policore dhe të detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit ka filluar procedime në bazë të ligjit për raste të shkëputura personash, të cilët e kanë cenuar qartazi atë, kryesisht në formën e bllokimit të akseve rrugore të vendit, goditjes me sende të forta, apo djegies së materialeve të dëmshme për shëndetin e qytetarëve në mjedise të rëndësishme publike, thuhet në deklaratë.


Në vijim Policia e Shtetit shpreh edhe gatishmërinë e strukturave të saj për të shërbyer me përkushtim të plotë ndaj të drejtës së çdo qytetari për të protestuar si dhe ndaj mirëmbajtjes së rendit, sigurisë dhe normalitetit të jetës për të gjithë qytetarët e tjerë.


Personat e proceduar, për të cilët janë referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës janë, Edmond Tupe, Robert Aliaj, Altin Goxhaj, Mirela Ruko, Klodian Leka, Estela Nazarko, Xhuljano Bregasi, Henri Fero, Liri Guci, Gentian Doci, Malbor Duka, Nehbi Bushaj, Klajdi Bello, Redi Muci, Luan Myrtaj, Erdi Bërxulli, Agron Pepaj, Migen Qiraxhi, Bledar Hysa, Adriatik Lapaj, Nerid Shehu, Bislim Lakna, Gaetano Doci, Andrea Gjini (LSI) dhe Kristina Tonaj (FRPD).


12 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)