Mosha e dëshmitarëve që do të paraqiten në procesin ndaj shtetasit britanik David Brown e ka detyruar gjykatën që të marrë vendim për t‘i kryer të gjitha seancat e këtij gjyqi me dyer të mbyllura. Dje, në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj të pandehurve David Brown, Dino Christodulu dhe Robin Arnold. Gjykata, duke marrë parasysh se pjesa më e madhe e dëshmitarëve në proces janë minorenë, por edhe ata që do të jenë të rritur do të flasin për probleme që lidhen me minorenët, ka vendosur që të gjitha seancat e tjera të procesit të zhvillohen pa pjesëmarrjen e publikut.

Ndërkaq, po në seancën e djeshme, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha, ka vendosur që ta ndajë çështjen e David Brown nga dy të pandehurit e tjerë. Pak ditë më parë, një gjykatë britanike dha vendimin për ekstradimin e Dino Christodulu dhe Robin Arnold në Shqipëri, por, sipas ligjit anglez, ata kanë të drejtë ta apelojnë çështjen dhe për këtë kanë një afat dymujor. Sipas kësaj llogarie, ekstradimi i tyre mund të kërkojë akoma kohë dhe nisur edhe nga fakti se procesi në fjalë ka mbetur i bllokuar për më shumë se dy muaj me radhë, pezullimi i mëtejshëm i tij mund të shkaktojë mbarimin e afateve të paraburgimit edhe për David Brown. E gjendur në këto kushte, duke marrë parasysh edhe kërkesën e bërë nga prokurori i çështjes, gjykata vendosi që ta ndajë dosjen e David Brown, duke vijuar gjykimin e tij nga ajo e Dino Christodulu dhe Robin Arnold, për të cilët do të hidhet sërish shorti elektronik.

Skandali pedofilik i qendrës "Fëmijët e Tij" është konstatuar në muajin maj të vitit 2006. David Brown, drejtuesi i fondacionit, u vu në pranga nga policia më 18 maj, ndërsa pak ditë më vonë policia arrestoi edhe kuzhinierin e qendrës, i cili u akuzua nga prokuroria për "moskallëzim krimi", pasi ishte konstatuar se ai kishte dijeni për abuzimet në fondacion. Në të njëjtën kohë u shpallën në kërkim Dino Christodulu dhe Robin Arnold. Gjatë hetimeve, Brown ka mohuar akuzat, duke thënë se ata që kishin abuzuar me fëmijët ishin dy britanikët e tjerë, të cilët për këtë shkak ai i kishte përzënë nga qendra.