Tiranë - Të miturit kanë drejtuar dje gishtin e fajësisë drejt shtetasit të huaj, Dino Arnold. Gjatë seancës së radhës, ku janë të pandehur Dino Kristodulu dhe Robin Arnold, nuk munguan akuzat e të miturve për abuzim seksual me ta. Seanca zhvillohet me dyer të mbyllura dhe të miturit dëshmojnë nëpërmjet videokonferencës për të mos qenë të pranishëm në një sallë me abuzuesit. Burime që ishin prezente në sallën e gjyqit shpjeguan se fëmijët fakte më rënduese kanë dhënë për Robin Arnold, duke rrëfyer deri me detaje se si kishte abuzuar me ta. Pas dëshmive, trupi gjykues vendosi të shtyjë procesin në një seancë tjetër, ku do të vazhdohet me të tjera dëshmi të grumbulluara nga prokuroria, që vërtetojnë fajësinë e dy shtetasve të huaj. Dino Kristodolu dhe Robin Arnold u akuzuan për të njëjtat vepra penale njësoj si David Braun. Ky i fundit u dënua pak kohë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë me 25 vite burg. Kristodulu dhe Arnold u arrestuan pak muaj më vonë në Londër dhe aktualisht janë ekstraduar në Shqipëri duke qenë pjesë e një procesi gjyqësor me të njëjtat akuza. Mësohet se prokuroria ka një provë shumë të fortë për Robin Arnold, Dino Kristodulu dhe Devid Braun. Bëhet fjalë për ekspertizat mjeko-ligjore në trupin e të miturve.





Itali, bllokohen 83 kg kokainë, në grupin kriminal edhe shqiptarë



Rreth 83.5 kilogramë kokainë, me vlerë 10 milionë euro, janë sekuestruar mëngjesin e djeshëm nga Guardia di Financa e Firences. Droga, sipas policisë, vinte nga Spanja dhe Holanda dhe u përkiste dy bandave, anëtarë të të cilave ishin shqiptarë dhe italianë. Operacion i Guardia di Financës në Firence shkatërroi dy banda kriminale, të përbërë nga shqiptarë dhe italianë. Sipas hetuesve, bandat akuzohen për trafik ndërkombëtar droge të ardhur nga Spanja dhe Holanda. 10 anëtarë të kësaj bande janë bënë tashmë në pranga dhe ndodhen nën masën e arrestit burg, e cila është urdhëruar nga distrikti i Antimafies fiorentinase. Bandat vepronin në Firence dhe Sesto Fiorentino.



Qëlloi me armë drejt fqinjit, arrestohet Gëzim Hoxha



Tiranë – Policia ka arrestuar një 58-vjeçar për konsumim të veprës penale “kanosje”. Burime nga uniformat blu thanë për gazetën se dje u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Gëzim Hoxha, 58 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Qinam. Arrestimi i tij u krye sepse dyshohet se për motive të dobëta ka qëlluar me armë në drejtim të banesës së shtetasit Sali Hoxha. U kryen veprimet procedurale dhe në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë zjarri tip pushke, një gëzhojë dhe një predhë arme. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje” dhe “kanosjes”, parashikuar nga nenet 278/2 dhe 84 të Kodit Penal.







17 Dhjetor 2008