Ish-Kryetari i Komisionit Europian dhe ish-kryeministri i Italisë Romano Prodi, ka deklaruar se Shqipëria duhet të bëhet sa më shpejt anëtare e Bashkimit Europian.

Prodi është në ditën e tij të dytë të vizitës në Shqipëri dhe ka sot ka qenë i pranishëm në konferencën "Shqipëri-Itali, partneritet me Europën".

"Vendet kandidate si Shqipëria duhet te vrapojnë dhe duhet një përshpejtim i procesit sepse ka një urgjencë për të përshpejtuar rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Dhe kjo vjen vetëm nëse je pjesë e Bashkimit Europian. Për këtë arsye është e nevojshme të ketë unitet politik të brendshëm. Sidomos për sa i përket luftës kundër korrupsionit e krimit te organizuar. Pra është një proces kompleks. Në këto rajone problemi etnik është i dukshëm sepse kufijtë nuk tregojnë popullsinë e një vendi.

Por unioni europian për këtë është, për zhdukjen e kufijve. Dhe Italia me Austrinë ka pasur këtë problem, por u zhdukën me anëtarësimin e Austrisë. Dhe në njëfarë mënyre Europa është bashkim minorancash, dhe ato duhen të konservohen. Duhet të qetësojmë vendet që duhet të hyjnë, por edhe vendet që janë pjesë. Nuk duhet të ketë vende periferike dhe qendrore. Europa duhet të jetë një harmonizim progresiv dhe i thellë", deklaroi ish-presidenti i KE-së.

Konferenca u zhvillua në formën e një leksioni që z. Prodi dha para studentëve të Universitetit "Zoja e Këshillit të Mirë".

Personalitete të larta politike, nga mazhoranca dhe opozita ishin të pranishëm në konferencë./Start/E.SH/