Admir Murataj dhe polici nga Fushë-Kruja, Florin Merlika, të cilit i kishte “vjedhur” pamjen e jashtme me maskën prej tullaci që kishte vendosur gjatë grabitjes

Grabitësi i vrarë nga policia rreth 2 km larg pistës së aeroportit Nënë Tereza, pas super-grabitjes së 10 milionë eurove me bandën e tij 5 antarëshe, është Admir Murataj.


Identiteti i viktimës është konfirmuar edhe nga bashkëshortja e vëllai i tij në morgun e Tiranës, ndërsa më herët ishte aluduar nga mediat greke se skifteri i pafat i kësaj grabitje ishte Murataj.


Një detaj i rëndësishëm i zbuluar nga grabitja është se Murataj, ka studiuar me detaj dhe maskën që kishte përgatitur për tu futur në aeroportin Nënë Tereza.


Murataj u shfaq gjatë grabitjes me maskë, syze dhe mjekër pasi kishte kopjuar identitetin e një efektivi policie nga Fushë-Kruja.


Ai i kishte vjedhur me maskën e tij pamjen e jashtme policit Florin Merlika.


Në foton që po qarkullon në media duken qartë tiparet që janë të njëjta, të maskës së Muratajt dhe policit të Fushë-Krujës, i cili nuk ka lidhje me ngjarjen.


Por kush është, Admir Murataj i akuzuar për disa super-grabitje?


Ai nuk është aspak një emër i panjohur për Policinë e Shtetit, pasi rezulton shtetas i shpallur në kërkim.


Kjo, pasi akuzohet për organizimin e dy grabitjeve të bujshme në Qafë-Kashar dhe grabitjen e një banke të nivelit të dytë te Stacioni i Trenit në Tiranë, ku kanë qenë të përfshirë edhe disa ish-Komando të ushtrisë shqiptare.


Emri i vërtetë i grabitësit që ideoi skemën për marrjen e 10 milionë eurove ditën e djeshme nga avioni i Austrian Airlines, është Admir Nikaj.


Si një prej më të kërkuarve të drejtësisë shqiptare dhe asaj greke, Murataj konsiderohej si person me rrezikshmëri të lartë dhe ka mbajtur plot 13 identitete të ndryshme.


Admiri njihet mes pjesëtarëve të grupit si Adi Tropojani apo Patrioti. Ai ka përdorur edhe një pasaportë greke të falsifikuar me emrin Christos Papadias.


Në vitin 2013, emri i tij u bë mjaft i njohur, pasi ishte pjesë e grupit të 10 shqiptarëve që u arratisën në mënyrë spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë në Trikalla të Greqisë.


Ky moment, do të shënonte edhe nisjen e aktivitetit kriminal të tij në territoret shqiptare ku mundi të futet ilegalisht dhe të qëndrojë i fshehur deri ditën e djeshme, ku u vra nga efektivët e FNSH në rrugën e Hurmave pas grabitjes.


Fama e krijuar nga arratisja në Greqi, e ndihmoi atë të fitojë reputacion në botën e krimit, ku u njoh edhe me Dashamir Kupën.


Shumë shpejt, ata të dy ideuan dhe krijuan një prej grupeve kriminale më të rrezikshme që do të mbahet mend për grabitjet më spektakolare të shumave monetare nga bankat.


Murataj u bë kreu i grupit që grabiste eskortat e autoblindave me para në aksin Qafë Kashar-Rinas.


Autoriteti i Admir Nikaj Murataj, ishte aq i fortë në rrethin e grabitësve sa takimi me të konsiderohej si privilegj nga ndihmësit dhe informatorët e grupit kriminal. Në këtë bandë, bënin pjesë edhe ish-komando dhe ish-punonjës të kompanive private të ruajtjes dhe sigurisë fizike.


Në pretencën e Prokurorisë dhënë më 18 janar të këtij viti për bandën e akuzuar për tri grabitje të bujshme të ndodhura në autostradë gjatë transportimit të parave të bankave nga Tirana në Rinas, Prokurori i çështjes në total kërkoi 127 vite burg për 8 të akuzuarit, ndërsa në kërkim rezultonte Murataj.



  • Ngjarja e parë për të cilën akuzohet grupi, ndodhi në 12.02.2015 pranë Stacionit të Trenit, ku në një bankë të nivelit të dytë u vodhën me armë 900 mijë franga, 800 mijë paund dhe 16 mijë euro.

  • Pak muaj më vonë, më datë 03.12.2015 rreth 2 milionë paund, 800 mijë dollarë dhe sasi të tjera valute u vodhën në Qafën e Kasharit.

  • Ngjarja e tretë për të cilën akuzohen të pandehurit ndodhi në Domje më datë 09.02.2017, shumë pranë aeroportit të Rinasit. Grabitja u realizua gjatë transportimit të parave me makinën e policisë private. Aty u rrëmbyen në automjet thasët me 2 milionë e 400 mijë euro, 200 mijë dollarë dhe valuta të tjera.


Zbulimi i serisë së autorësisë së grabitjeve u bë në shkurt të 2017, ku policia dhe Prokuroria arrestuan anëtarët e bandës, të cilëve iu gjetën edhe një pjesë të shumave të vjedhura.


Kartëmonedhat ishin groposur në tenxhere, por edhe ishin fshehur në mënyrë origjinale në vende të tjera, duke u futur me qese në frigorifer.