Nga Griselda Qosja


 


Ishte pikërisht pasdrekja e disa ditëve më parë, që më erdhi në mendje dje teksa dëgjoja fjalimin e znj. Topalli në Konferencën Rajonale të Drejtave të Fëmijëve. Pasdreken të cilën, diku mes të nxehtit dhe panoramës baritore të juglindjes, takuam Ervinin (i cili me gjasa nuk do ta lexojë kurrë këtë shkrim) e që nuk ngjante të kish më tepër se dymbëdhjetë vite mbi supe. Qe një djalë me faqe të kuqe, që çuditërisht spikasnin në fytyrën e tij të nxirë nga dielli. Me një sjellje disi të përulur dhe të qetë, kur e pyesim na tregon se prej kohesh lan makina dhe se gjithaq studion. Veçse, shton natyrshëm se i duhet rreth një orë për të mbërritur në shkollë.


Nuk mund të mos e kujtoj Ervinin, të vëllain dhe ata fëmijët e tjerë që punojnë bashkë me të, në biznesin e hershëm të larjes së makinave, teksa entuziazmi dhe patosi i znj.Topalli qëndron nderur mbi sallën Consorcium, e këmbëngulëse sdenjon të lëvizë. E përpiqem vërtet edhe ta besoj kur thotë se të drejtat e fëmijëve janë prioritet për qeverinë, se ajo është nënë vetë. Po si të besoj se të drejtat e fëmijëve qenkan prioritet në këtë vendin tonë kur rreth pesëdhjete mijë fëmije, raportohen të punojnë? E vetiu me vjen ndërmend vogëlushja bukuroshe që shet bajame të pjekura tek kafene Tajvani. Apo djalka i vogël që më ngjitet nga pas çdo dite për ti blerë do paketëza me leukoplast.


Pastaj a e di kjo zonjë se si zhvillohet mësimi në fshatra? A e di se ndonjëherë në shkollat mjerane në zonat e thella, ku nxënësit arrijnë me një mije peripeci, mësimi ndonjëherë është edhe luks? E se vetëm në Tiranë me qindra fëmijë kanë braktisur shkollën? Sigurisht janë bërë përpjekje. Ne kemi një ligj që gjobit prindërit, të cilët nuk dërgojnë fëmijët në shkollë. Po si i bëhet hallit kur prindërit nuk i dërgojnë fëmijët në shkolle, jo për stil jetese, zgjedhje, a dëshire për home schooling, por kushtëzim nga varfëria, e pamundësia? A nuk duhen shërbimet sociale ti ndjekin rast pas rasti?


Ma do mendja se edhe ajo kalon në rrugët e qytetit. A nuk i ka parë ata vogëlushet këmbëzbathur që enden mes makinave me vështrime plot trishtim? A si ka ndodhur ndonjëherë që teksa makina ndalon në semafor, ti avitet xhamit një sfungjer i qullur, që komandohet prej një dore thatime, në pritje të shpërblimit që ndonjëherë as nuk vjen? Rreth 800 fëmijë lypin në Tiranë. Ne jemi vend i vockël, e me pak dëshirë e vullnet krejtësisht i menaxhueshëm.


A e di se teksa flet për përkushtimin dhe punën ndaj fëmijëve, zotërinjtë qe kam pranë psherëtijnë e hedhin romuze? E ndoshta ashtu bëjnë edhe shumë qytetarë të tjerë, që nuk janë të izoluar në realitetin e tyre ishullor kryeqytetas, por dinë të shohin edhe tej tij; me ngjyrat e vërteta të një varfërie dhembëse, ndërkohë që kurba e deficitit buxhetor vijon të rritet.


Megjithatë më vjen mirë që Tirana na qenka zgjedhur mes gjashtë kryeqyteteve të tjera te rajonit, për të mirëpritur konferencën, në mos qofsha e gabuar. E se sytë e Evropës do të kthehen nga ne siç thotë zyrtarja për Evropën Lindore e UNICEF. E ndoshta vëmendja evropiane do të mund të spikasë edhe progresin për të cilin flet aq gjatë zv.ministrja e drejtësisë në fjalën e saj, por qe unë se gjej gjëkundi. Ndoshta është mea culpa, se me gjasa mund të ndodhë që ky progres të jetë si ato rrobat e reja të mbretit, në përrallën e vëllezërve Grim, që mund të shquhen veçse nga të mençurit.