Sheshi Skënderbej, një hapësirë fantastike pedonale. Kështu u shpreh kryetari i Bashkisë së Parmës, Federico Pizzaroti, pas takimit me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, me të cilin diskutoi rritjen e bashkëpunimit në çështjet kulturore, mobilitetit dhe teknologjisë së avancuar në dhënien e shërbimeve për qytetarët. Dy homologët vlerësuan se dëshira e përbashkët për bashkëpunim do të përkthehet në realizimin e disa projekteve konkrete dhe të prekshme për qytetarët.


Jam shumë i lumtur që kemi filluar një bashkëpunim konkret me Parmën, kryesisht për çështjet e kulturës, por edhe për çështjet e mobilitetit dhe qytetet inteligjente. Për ne është fat që jemi pranë Italisë, pranë Parmës, që jemi pranë qyteteve që tashmë janë udhëheqëse të zhvillimit dhe modernizimit në Europë, e mezi pres që të bëjmë më shumë, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.


Kreu i Bashkisë së Parmës, Federico Pizzaroti, pasi falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen, u shpreh i kënaqur për raportet miqësore që ekzistojnë tashmë mes dy bashkive, ndërsa vlerësoi transformimin që ka pësuar sheshi Skënderbej. Folëm për kulturë, ekonomi, por edhe për teknologjitë e reja, për ti bërë qytetet më të jetueshme. Pas gati një viti, vlerësoj shumë këtë shesh fantastik, faktin që është një hapësirë pedonale, çka sjell një lëvizshmëri më të qëndrueshme dhe një hapësirë për qytetarët, tha Pizzaroti.


Ndërkaq, Veliaj vuri në dukje faktin se Parma është sot një nga qytetet më të zhvilluara të Italisë, nga eksperienca e së cilës Tirana ka mundësi të marrë më të mirën, sidomos lidhur me transportin dhe argoturizmin. Duam të kuptojmë pak më shumë se si sfidat e mobilitetit, transportit publik, e një qyteti dixhital, janë transformuar në qytetin e Parmës dhe gjithashtu duam të mësojmë shumë për turizmin dhe për mënyrën se si mund të transformohet qyteti përmes turizmit, kryesisht zonat rurale që mund të jetojnë me agroturizëm, se si mund të jetohet mirë me kulinari. Duke mësuar nga më të mirët, edhe ne mund të bëhemi pak më të mirë, tha Veliaj.


Kurse, Pizzaroti nënvizoi se gjatë vizitës së kthimit në Parma, pritet të nënshkruhet edhe dokument që do të zyrtarizojë miqësinë mes dy qyteteve. Mbjellja e një peme është një gjest shumë i bukur për të forcuar miqësinë. Madje, shpresoj që në takimin pasardhës, gjatë vizitës në Parmë, mund të firmosim një pakt miqësie mes dy qyteteve, sepse ekziston vullneti për bashkëpunim. Bashkëpunojmë me një komunitet shumë të aftë në aspektin kulturor, gjë të cilën duam ta forcojmë edhe nga pikëpamja industriale, kulturore; pra, ne duam të bashkëpunojmë e të rritemi bashkë dhe mendoj se qytetet dhe personat që i menaxhojnë këto qytete mund të jenë një shembull domethënës për qytetarët, tha kryebashkiaku i Parmës.


Veliaj tha se për ti dhënë rëndësinë e duhur këtij bashkëpunimi shumë shpejt një delegacion i Bashkisë së Tiranës do të vizitojë Parmën për të diskutuar një axhendë konkrete bashkëpunimi mes dy bashkive. Një nga fushat ku mund të bëjmë shumë është një kalendar i përbashkët i kulturës, Parma është qyteti i Verdit, një qytet që i ka dhënë botës kaq shumë kulturë, art dhe muzikë; mezi presim që të kemi një aktivitet të përbashkët kulturor dhe një kalendar vjetor, përfundoi kryebashkiaku Veliaj.


Të dy kryebashkiakët në shenjë miqësie dhe vazhdimësisë së bashkëpunimit mes dy bashkive mbollën gjithashtu një pemë në lulishten e sheshit Skënderbej.


21 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)