Qeveria ka gati projektin për zgjerimin e autostradës Tiranë - Durrës me 3 korsi, ku parashikohet shtim i trafikut të makinave dhe lejim i shpejtësisë deri në 140 km/orë.

palmat

Zgjerimi i rrugës ishte planifikuar nga qeveria që në zbatimin e projektit për gjelbërimin në Tiranë-Durrës, shkruan "Panorama". Për mbjelljen e palmave u shpenzuan 600 mijë dollarë, në një kohë që qeveria e dinte se autostrada do të zgjerohej dhe se projekti i gjelbërimit ishte i përkohshëm.

Në të njëjtën kohë që qeveria realizoi projektin për mbjelljen e palmave, u zhvillua tenderi për kryerjen e studimit dhe projektimit të zgjerimit të rrugës, ku fituese u shpall kompania "Spea Engineering s.p.a.".PARAQITJE-SKEMATIKE

Në emër të qeverisë shqiptare tashmë kompania italiane i ka dorëzuar Autoritetit Rrugor Shqiptar projektin për zgjerimin e rrugës me 3 korsi, zbatimi i të cilit kushton 120 milionë dollarë. Gazeta zbardh projektin e ri, zbatimi i të cilit është parashikuar i ndarë në 3 lote, ndërsa trafiku i makinave do të rritet nga 24 mijë në ditë në 67 mijë.

PROJEKTI

Projekti parashikon 3 korsi kalimi për secilën anë të rrugës dhe një zonë me trafikndarëse 2,6 metra e gjerë. Në total, gjerësia e rrugës do të jetë 35.10 metra dhe kjo bëhet për shkak të trafikut të lartë të makinave në këtë rrugë, duke e shndërruar Tiranë- Durrës në superstradë të kategorisë A1.

"Studim-projektimi për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës ka për objektiv kryesor projektimin e një infrastrukture të kategorisë "A", e cila duhet të ketë karakteristikat për të përballuar volumet gjithnjë e në rritje të trafikut në këtë arterie kryesore të vendit, si dhe të përmirësojë gjendjen e shtresave rrugore ekzistuese, tashmë tejet të amortizuara në një pjesë të madhe të superstradës, duke ofruar kështu një nivel të përshtatshëm shërbimi për këtë kategori rruge", thuhet në projektin e qeverisë.

Projekti i zgjerimit të autostradës me tre korsi
Projekti i zgjerimit të autostradës me tre korsi

Në të dyja anët e secilit drejtim do të jenë dy korsi emergjence dhe dy bankina të paveshura, me gjerësi prej 1.3 metrash në secilin krah. Gjerësia e korsisë së kalimit do të jetë 3.75 metra, ndërsa gjerësia e korsisë së emergjencës do të jetë 3 metra. Shpejtësia e lejuar do të jetë deri në 140 kilometra në orë, kurse trafiku i makinave parashikohet të rritet në 67 mijë makina në ditë, nga 24 mijë që llogaritet aktualisht.

Në projekt parashikohet edhe shtimi i mbikalimeve, nënkalimeve, ndërsa përfshin një strukturë ure, atë mbi lumin Erzen. Zbatimi i punimeve planifikohet të ndahet në 3 lote, si për mbikalimin e Kamzë- Vorë, Vorë -Sukth dhe Sukth -Durrës.

Programi i propozuar i punimeve është bazuar në 5 ditë punë për javë dhe në 8 orë punë për ditë. Për të shmangur kostot e shpronësimeve, gjatë punimeve trafiku nuk do të devijohet, por do të rregullohet brenda rrugëve ekzistuese.

SHPRONËSIMET

Gjurma e projektit prek 19 fshatra të përfshira në zonat kadastrale të Tiranës dhe 3 zona kadastrale të përfshira në qytetin e Durrësit. Kompania italiane në projekt paraqet edhe vlerat e gjurmës së projektit mbi zonat kadastrale të prekura.

Sipas projektit, zgjerimi i autostradës do të kalojë në një sipërfaqe tokë bujqësore prej rreth 752 mijë metrash katrorë, me vlerë rreth 3.5 milionë euro. Po ashtu, gjurma e projektit llogaritet të shtrihet në rreth 68 mijë metra katror tokë truall, me vlerë 4 milionë euro, e cila do të shpronësohet nga qeveria.

DORINA AZO