Në një sipërfaqe prej 38334 m2, bash mu aty ku sot ekziston qendra ndërkombëtare e kulturës "Pjetër Arbnori" do të ndërtohet Kompleksi i ri I Parlamentit Shqiptar. Projekti është gati dhe gjithçka që përmblidhet në të duket se i jep fund debatit të prishjes së një prej objekteve më të debatueshme, piramidës.





Në tetor të këtij viti Këshilli i Ministrave vendosi shkatërrimin e ish muzeut të diktatorit Enver Hoxha. Ndërsa për me miratimin e detyrës së projektimit të kompleksit të ri parlamentar kryesia e kuvendit ka paravendosur çfarë do të ndërtohet në bulevardin kryesorë të Tiranës, Dëshmorët e Kombit.





Por në morinë e shumtë të detajeve të parlamentit të ri është parashikuar edhe një ambient i veçantë me një sipërfaqe 250 metra katrorë. Sipas projektit, kjo sipërfaqe do të jetë apartament pritje dhe banimi i Kryetarit të Kuvendit.





Në këtë mënyrë kushdo që do jetë në krye të parlamentit duhet të lidhë jetën me vendin e punës pasi realisht do të jetë edhe shtëpia e tij.





Dr. Ark. Arben Shtylla dhe Urb. Eleonora Zaloshnja janë dy njerëzit që parashikuan qoftë dhe detajin më të fundit nga ajo që do të jetë nesër Kompleksi i Ri i Parlamentit.





Detyra e projektimit të tyre është miratuar nga kryesia e kuvendit e cila më 23 nëntor ka shpallur tenderin ndërkombëtar për ku ftohen të konkurrojnë të gjitha firmat për realizimin e projektit që do të ketë një sipërfaqe prej 38334 m2.





Kështu në bazë të detyrës së projektimit mbi bazë e të cilët janë ftuar të marrin pjesë në konkurrim firmat e huaja të ndërtimit Kompleksi parlamentar do të përbëhet nga katër blloqe kryesore: Blloku i sallës së seancave plenare, Blloku i zyrave dhe ambienteve të shërbimit, Blloku i parkingut dhe ambiente të infrastrukturës.





Kështu salla e parlamentit është e parashikuar për 140 vende me tavolinë e adoptueshme për 250 vende dhe do të zërë një sipërfaqe prej 500 m2.





Po kështu në projekt janë parashikuar edhe vendet e veçanta për anëtarët e qeverisë, 25 vende, një lozhë e veçantë për Presidentin e Republikës, për personalitet të huaj dhe ambasadorë të akredituar në Shqipëri si dhe një vend të posaçëm për gazetarët.





Sipas projektit salla e parlamentit do të përbehet nga komponentët e mësipërm, e zgjidhur nga pikëpamja funksionale, me hyrjet për secilin grup, pa u përziere me njeri-tjetrin.





Salla do të shtrohet me materiale tëbuta, rezistente ndaj fërkimit, me veti të mira akustike absorbuese si mokete ose të tipit parket. Salla e Parlamentit do të jetë në formën e një hemicikli, do të ketë hyrjet e nevojshme si: hyrjen kryesore nga hyjnë deputetët e Kuvendit, pastaj hyrje anësore nga hyn Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, ministrat, specialistët që mbrojnë projektligjin, stafi mbështetës I seancave plenare etj.





Po kështu parashikohet të ketë sistemin e kamerave televizive për kanalin televiziv të Parlamentit i cili do siguroje sinjal audio - video në cilësi transmetimi televizive. Ndërsa mbi tavolinën e çdo deputeti do të jetë I instaluar një monitor apo një kompjuter laptop për funksionimin e sistemit të Parlamentit.





AMBIENTET PRITËSE



• Apartament pritje/banim i Kryetarit të Kuvendit = 250 m2

• Kabinetet e nënkryetarëve të parlamentit dhe Sekretarit të

përgjithshëm: 5 x 120÷150 m² = 600÷750 m2

• Zyra të kryetarëve të komisioneve parlamentare:

13 x 20 m² = 260 m2

• Zyrat për deputetë: 100 x 20 m² = 2000 m2

• Zyrat e Grupeve Parlamentare: 10 x 30 m² = 300 m2

• Arkiva + fonti + sallë leximi arkiv = 400 m2

• Biblioteka + fonti = 400 m2

• Salla muzeale e parlamentit = 150 m2

• Restorant me 200÷250 vende për deputetë = 450 m2

• Restorant me 150-200 vende për stafin = 350 m2

• Restorant për dreka që shtron Kryetari për nder të homologëve apo delegacioneve

parlamentare: 30 vende = 70 m2

• Zyra për stafin e Kuvendit: 200 x 10 m² = 2000 m2

• Bar-bufe: 1 x 60 m² = 60 m2

• Bar-bufe pranë komisioneve parlamentare = 70 m2

• Magazina e shërbime të ndryshme = 400 m2

GJITHSEJ = 11010 m2

Mure, korridore, shkallë, ashensorë,

nyje sanitare, holle për katet: 60% = 6000 m2

TOTAL = 17010 m2