Kryeministria hapi dyert sot për artistët e rreshtuar pro dhe kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, të cilët ishin të pranishëm në prezantimin e projektit për godinën e re nga kreu i qeverisë Edi Rama dhe arkitekti danez Bjarke Ingels.


E teksa Rama i tha prerë se godina aktuale do të shembet dhe Ingels prezantoi në një video atë që do të jetë streha e re e artistëve, për këtë projekt ka ardhur edhe reagimi i parë tepër i ashpër nga kryedemokrati Lulzim Basha.


Kreu i PD thotë se barbaria e Edi Ramës mbi historinë, kulturën dhe kryeqytetin nuk ndalet, pasi sipas tij në vend të Teatrit Kombëtar, do të ngrihet një tjetër bllok gjigand betoni.


Me shembjen e Teatrit Kombëtar do të shuhet përgjithmonë një pjesë e historisë, do të prishet një vepër e trashëgimisë kulturore, do të shkatërrohet më shumë harmonia urbanistike dhe arkitekturore e qytetit.  Talibanizëm kulturor dhe historik dhe një tjetër skemë grabitqare PPP, nga një tjetër klient që do të rrëmbejë tokë publike dhe do ndërtojë kulla, thotë Basha në reagimin e tij.


Sipas liderit të opozitës kjo është një tjetër skemë e padëgjuar në botë për ndërtimin e veprave publike. Një tjetër zhvillim me godina të larta, paratë për të cilin nuk dihet nga vijnë. Një tjetër vepër korruptivo-kriminale e Edi Ramës, thekson Basha.


12 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)