Sonte Festivali i të Drejtave
Hapet sonte edicioni IV i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut. Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi me kinemanë e saj ftojnë deri më 3 tetor publikun të ndjekë një program të pasur me filma artistikë dokumentarë, 37 gjithsej nga vende të ndryshme të botës.
Pas ceremonisë, filmi i parë që projektohet në orën 19.00 është "Maria full of grace" (SHBA) i regjisorit Joshua Marston, me protagoniste Catalina Sandino Moreno.
Gjatë ditëve në vazhdim prezantohen filma që trajtojnë problemet e drogës dhe të prekurve nga AIDS-i; çështje të të drejtave të fëmijëve dhe grave (filma tronditës vijnë për vendet arabe) dhe kategoria tjetër i përket lirisë së shprehjes.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri bëhet i mundur falë bashkëpunimit me një sërë organizatash dhe institucionesh si Fondacioni Friedrich Ebert, UNICEF, Ambasada Zvicerane, Ambasada e Francës, Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Ambasada e Gjermanisë, Ambasada e Austrisë, Ambasada Amerikane, Instituti Shqiptar i Medias, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, OSBE-ja, Këshilli i Europës, UNDP-ja, Utica College, IHREC-i etj.
Është menduar organizimi i forumeve të hapura me nxënës të shkollave të mesme të interesuar për të diskutuar çështjet e të drejtave të njeriut. Të pranishëm do të jenë regjisorë e producentë nga vende të ndryshme për të prezantuar veprat e tyre.
Kostumet popullore, sa kanë ndryshuar, rastet kur i shmangen traditës dhe kur vishen keq. Ja problemet që ngrihen në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës
Arvanitasit refuzojnë sërish
Gjirokastër
Arvanitasit refuzojnë për të tretën herë të sjellin kulturën e tyre shqiptare në Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar të Gjirokastrës. Edhe pse ftesa nga organizatorët u është dërguar dhe ishte parashikuar që të përshëndesnin në natën e katërt, grupi i arvanitasve nuk është paraqitur.
Nuk është dhënë asnjë arsye zyrtare për këtë mungesë. Ky është i treti edicion që arvanitasit, pavarësisht ftesës nuk marrin pjesë.
Megjithatë grupi lab i shqiptarëve me emigrim në Greqi "Vëllazërimi" përshëndeti natën e katërt.
"Këtë radhë në festival, qarqet dhe grupet e paraqitura kanë sjellë veshje origjinale dhe të rralla".
Kështu ka deklaruar specialistja Afërdita Onuzi në lidhje me kostumografinë popullore në edicionin e nëntë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar. Gjithsesi, specialistët nuk i fshehin rastet kur janë vërejtur probleme në lidhje me përdorimin e një sërë elementesh jo autentikë e falsë në kostume.
"Duke patur parasysh faktin që sot kostumet popullore kanë dalë nga përdorimi, ne specialistët dhe studiuesit ndihemi të kënaqur edhe me riprodhimet e kujdesshme në ato treva ku ka një bjerrje të vlerave kostumografike. Por, gjithashtu ne kemi edhe qëndrimin tonë kritik në lidhje me pjesë të veçanta të veshjeve.
Është për të ardhur keq edhe atëherë kur kostumi është në rregull por nuk vishet si duhet. Për shembull mënyra se si vihet brezi, sesi vishet fustanella, ose gjatësia e fustanellës, kësaj veshjeje mbarëshqiptare dhe në këtë kuptim ne duam vëmendje të bartësve, që secila krahinë të ruajë origjinalittein, pra mënyrën autentike të veshjes së fustanellës dhe elemetëve të tjerë", është shprehur prof. Onuzi.
Gjithashtu specialistët mendojnë se duhet të ketë një buxhet të veçantë për kostumet popullore, për të shmangur në këtë mënyrë edhe abuzimet që ndodhin me to. "Ka 20 vjet që në buxhetin vjetor të Institutit që merret me këto studime nuk ka më një fond të caktuar si dikur për të blerë veshje popullore; në shumë raste prej tyre përfitohet, nga persona që i çojnë jashtë apo i shesin këtu, ndërkohë që prurësi më i parë duhet të ishim ne, Muzeu Historik apo muzeumet etnografikë në rrethe", thekson më tej etnografja.
Deklaratat janë bërë pas një tryeze të rrumbullakët të organizuar në kuadër të ditëve të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar që ka pasur në qendër etnografinë dhe veçanërisht kostumet popullore dhe problemet aktuale me kostumografinë.
E pranishme në këtë tryezë, zv/ministrja e kulturës, Suzana Turku ka deklaruar se aktualisht ka filluar puna për çeljen e një pavijoni të etnografisë në Muzeun Historik Kombëtar, me synim kthimin e tij në një muze në të ardhmen.
Shkodër
Banda muzikore e Shkodrës ka fituar çmimin e parë në Festivalin e Orkestrave Frymore të Zhvilluara në Giulianova të Italisë. Lajmi konfirmohet nga drejtues të bashkisë Shkodër.
Në këtë konkurrim ndërkombëtar kanë marrë pjesë dhjetë formacione të ngjashme të vendeve të ndryshme të botës, ku çmimin e dytë e ka marrë banda e Skocisë, të tretin ajo e Polonisë dhe me çmimin e publikut u nderua banda e Antileve e Ishujve Karaibe.
Çmimi i parë i është dorëzuar bandës muzikore të Shkodrës si "jë prej çmimeve më të larta dhe më të rëndësishme, që Presidenti i Republikës së Italisë, Napolitano, akordon për evenimente të tilla brënda vitit".
Banda muzikore e Shkodrës, në përbërjen e së cilës janë 43 artistë, ka një historik të mbushur me suksese. Ajo është themeluar në vitin 1878. Pesë vite më parë, pas një periudhe 10-vjeçare të ndërprerjes së aktivitetit, ky formacion u rithemelua dhe në dy edicionet e fundit të Festivalit Kombëtar të Orkestrave Frymore është fituese e vendit të parë. Është nderuar nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës me titullin "Krenaria e Qytetit".