I realizuar prej 30 vitesh, filmi “Proka” e regjisorit Isa Qosja shfaqet për herë të parë në Tiranë. Ndonëse, nesër, do të shihet për një grup nxënësish të shkollave, ky film bën historinë e kinematografisë kosovare. “Proka” është cilësuar si një nga filmat më të mirë në historinë e Kosovës. Pas kësaj nostalgjie kosovare, është edhe filmi tjetër “Ujku i bjeshkëve të namuna” që do të projektohet më 4 mars, një film nga regjisori Miomir Stamenkoviç, ndërsa e një periudhe të mëvonshme, më 11 mars, është edhe filmi tjetër i Qoses, “Rojet e mjegullës” (1988). Të tre këta filmi do të jenë në Tiranë në kuadër të muajit të kulturës Kosovë-Shqipëri.


Në këtë axhendë veprimtarish do të jenë dhe të tjera ndërmarrje nga Kosova në Tiranë. Në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, do të organizohet, më datën 1 mars, në hollin koncertor, mbrëmja koncertore me instrumentistë të rinj “Talentet e Kosovës në Tiranë”.


Në fillim të muajit mars, si rezultat i nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes tre teatrove kombëtare shqipfolës, në Teatrin Kombëtar-Tiranë do të shfaqet premiera e dramës “Çifti Martin” – Jonesko, dhe “Tartufi” Molier të trupës së Teatrit të Prishtinës.


Veprimtaritë do të zhvillohen më tej nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Prishtinës, ku do të realizohet në sallën qendrore të këtij teatri, më datat 6-7 mars, ora 17:00-19:00, montazhin me filma dokumentarë e kronikalë me temë: “Marrëdhëniet kulturore Shqipëri-Kosovë në vitet ‘70”.


Materialet filmike që do të përbëjnë këtë veprimtari janë: Ansambli “24 tetori” i Korçës jep shfaqe në Kosovë, viti 1975; “Ansambli Rugova i Pejës jep shfaqje nëpër Shqipëri”, viti 1972; “Ansambli Shtetëror në Kosovë”, viti 1972; Teatri Krahinor në Shqipëri i vitit 1972, jep shfaqje nga repertori i Teatrit të Prishtinës nëpër Shqipëri; Festivali Krahinor Folklorik i Kosovës i vitit 1979. Më datën 10 mars, në Tiranë do të organizohet veprimtaria “Zëri kosovar”, mbrëmje koncertore e romancës shqiptare me studentë të Akademisë së Muzikës Prishtinë, Fakulteti i Kantos. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në datat 11-12-14-15 mars, në Tiranë, do të vihet në skenë premiera e baletit “Gjenerali”, me kompozimin e Nikolla Zoraqit, bazuar në veprën e shkrimtarit Ismali Kadare, nën koreografinë e mjeshtrit Agron Aliaj. Më datë 12 mars, në Tiranë, me rastin e premierës së baletit “Gjenerali”, në praninë e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, z. Ylli Pango, dhe Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës Z. Valton Beqiri, për të ftuarit do të mbahet “Takimi i kompozitorëve mbarëshqiptarë në opera”. Veprimtaritë dokumentative nga të dy vendet, do të pasojnë me realizimin dhe shfaqjen e filmave dokumentarë dhe artistikë, me tema të etapave të ndryshme nëpër të cilat ka jetuar populli i Kosovës. Dokumentarët që do të shfaqen në ekranin e TVSH, janë përzgjedhur nga fondi i arkivit të Televizionit Publik Shqiptar.