Nuk i ka shpëtuar dot emocioneve të forta Adriatik Cama, njëri nga prokurorët e tragjedisë së 21 janarit. Kur ai u pyet nga komisionerët e Vettingut se si quhej, prokurori me karrierë 26-vjeçare për disa çaste u duk sikur nuk ishte aty, pasi nuk mundi të kujtonte në kohë as emrin e tij.


Dhe kishte të drejtë për të qenë i emocionuar. Gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e ekspozojnë prokurorin me pasuri problematike e të pajustifikuara. Edhe pse prokurori del pronar i vetëm një apartamenti në Tiranë, i një dyqani dhe dy automjeteve, deklaratat dhe të ardhurat për blerjen e tyre u cilësuan nga Vettingu si kontradiktore dhe të pajusfitikuara.


Prokurori fillimisht e ka deklaruar blerjen e apartamentit me vlerë 3 milionë lekë, ndërsa në kontratën e shitblerjes rezulton të jenë investuar 34 mijë dollarë. KPK zbuloi se probleme kishte edhe në blerjen e një garazhi, i cili në fakt rezulton te jete dyqan. Por pika më e rëndë e prokurorit Cama ka lidhje me raportin sekret të DSIK, që pas deklasifikimit hedh hije dyshimi mbi njeriun e drejtësisë.


Sipas KPK, prokurori Adriatik Cama ka pushuar hetimet për një kontrabandist në 2005, së bashku me një prokuror tjetër, vendim për të cilin është paguar. Dy prokurorët, tha relatorja, kanë kërkuar mitë e kanë marrë para duke kryer korrupsion, duke cenuar rëndë figurën. Sipas Vettingut, në këtë pikë, Cama ka patur kontakte të papërshtatshme dhe ka shkëmbyer favore e dhurata për të dhënë drejtësi.


Por Adriatik Cama kundërshtoi duke theksuar se kjo gjetje nuk është e vërtetë e sipas tij, Vettingu duhet ti sillte dëshmitarin për tu ballafaquar. Nuk e kam shkelur asnjëherë ligjin, jam besnik i tij. Kam patur presione kur shteti nuk ekzistonte në 1997, madje edhe për 21 janarin, por asnjëherë nuk jam trembur, por kam bërë detyrën si prokuror i republikës. Më lini të vazhdoj detyrën, tha Adriatik Cama. Emocional ishte edhe në përfundim të seancës.


E ndërsa për Camën do të jepet vendimi më 12 korrik, gjyqtari Artan Lazaj u rrëzua nga Vettingu. Shkarkimi i tij u krye vetëm mbi një komponent që është pasuria, sepse sipas vettingut nuk përputhen të ardhurat për blerjen e të vetmes pasuri që ka gjyqtari, që është një apartament në Tiranë. Avokati e konsideroi procesin të parregullt.


Të enjten do të dalë para vettingut edhe gjyqtari i fundit i kushtetueses, Gani Dizdari.


11 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)