21/09/2009  Juristët: Kryeprokurorja t’i kishte paraprirë situatës. Dështimi i dosjes, përgjegjësia e Prokurorisë.


Veprimet plotësuese dhe rianalizimi nuk do të sillnin katandisjen e dosjes në këtë mënyrë.


TIRANE- Mbyllja e çështjes “Mediu” nga kolegji penal i Gjykatës së Lartë ka shkaktuar mjaft reagime si nga faktorët e ndryshme politike, por edhe nga juristët, që tashmë janë pozicionuar në dy kampe, ku disa i japin të drejtë gjykatës dhe disa të tjerë thonë se ajo shkeli plotësisht ligjet e shtetit. Mirëpo siç duket vendimi për pushimin e çështjes, nuk e ka vënë shumë në siklet Prokurorinë e Përgjithshme, pasi sipas deklaratës së Ina Ramës, organi i akuzës e kishte bërë punën e vet dhe se fjalën e fundit për gjetjen fajtor ose jo të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, e kishte gjykata dhe jo Prokuroria. Po a kishte mundësi ligjore Kryeprokurorja Rama që të shmangte këtë situatë dhe të vazhdonte procesin gjyqësor ndaj Mediut? Kujtdo juristi që t’ia bësh këtë pyetje thotë se organi i akuzës kishte shumë mundësi ligjore që t’i paraprinte kësaj situate dhe çështja nuk do ishte katandisur kështu. Sipas tyre, neni 377 i Kodit të Procedurës Penale i jep plotësisht të drejtë çdo prokurori që kur konstaton mundësi për pushimin e çështjes nga ana e gjykatës apo kur provat e administruara në dosje nuk mjaftojnë për shpalljen fajtor të të pandehurit, atëherë përfaqësuesi i akuzës kërkon tërheqjen e akteve hetimore për hetime plotësuese. Mirëpo këtë gjë nuk e kreu Kryeprokurorja Ina Rama, e cila edhe pse ishte e informuar se Fatmir Mediu në zgjedhjet e 28 qershorit arriti të fitonte një mandat deputeti, nuk mori guximin t’i paraprinte dështimit të dosjes në Gjykatën e Lartë. Juristët shprehen se në këtë rast përgjegjësia është totalisht e grupit hetimor që ka hetuar çështjen si dhe e Kryeprokurores Rama, të cilët sipas tyre e kanë nënvlerësuar dosjen hetimore në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, i cili u akuzua për “shpërdorim detyre” në praktikën e ndjekur për ndërtimin e fabrikës së çmontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Vorës, ku u vranë 26 persona dhe 300 të tjerë u plagosën. Tërheqja e akteve në gjykatë, sipas tyre, duhet të ishte kryer menjëherë sapo Mediu u rizgjodh deputet. Pasi të kryheshin disa veprime plotësuese si dhe të rianalizohej edhe njëherë dosja, Prokuroria do detyrohej që çështjen ta dërgonte përsëri në gjykatë. Mirëpo për të kryer këtë, tashmë akuza do t’i drejtohej parlamentit të ri, për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut. Dhe pasi kjo procedurë të ishte kryer, atëherë dosja t’i kalohej Gjykatës së Lartë për gjykim, ku palët të ballafaqonin normalisht pretendimet e tyre.


Kallëzimi në gjykatë


Loja e heshtur, mes Ina Ramës dhe Fatmir Mediut


TIRANE- Aktualisht ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe Kryeprokurorja Ina Rama, janë duke u ndeshur me njëri-tjetrin në një “luftë” të heshtur në gjykatën e Tiranës. Shkak i kësaj është bërë kallëzimi i pak kohëve më parë, ku Mediu akuzoi Kryeprokuroren se ajo kishte “shpërdoruar detyrën” pasi gjatë një konference për shtyp, sipas tij, Ina Rama kishte publikuar sekretet hetimore të dosjes “Gërdeci”. Fillimisht kallëzimi i Mediut u depozitua në Prokurorinë e Tiranës, por pasi kjo e fundit vendosi mosfillimin e hetimeve, ministri aktual i Mjedisit së bashku me avokatët e tij, iu drejtuan gjykatës, në të cilën paditën Kryeprokuroren Rama dhe drejtorin e Hetimit dhe Ndjekjes Penale Sokol Stojanin. Ky i fundit u akuzua nga Fatmir Mediu, se gjatë një emisioni televiziv ku ai ishte ftuar, Stojani u dërgonte mesazhe të ftuarve. Teksti i mesazheve është paraqitur si provë përpara gjykatës, e cila aktualisht ka filluar procesin gjyqësor. Kjo padi tregon më shumë lojën e heshtur dhe procedurale midis Fatmir Mediut dhe Kryeprokurores Ina Rama.