Të gjitha komisionet parlamentare po diskutojnë sot në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2019.


Komisioni i Ligjeve ka nisur diskutimet me Prokurorinë e Përgjithshme, që ka kërkuar rritje fondesh për personel prej 200 personash, të cilën zoti Fino e ka cilësuar kërkesë luksi.


Përfaqësuesi i Prokurorisë Luan Abazaj tha se nga 197 punonjës që ka kërkuar ky institucion për vitin 2019, ministria e Financave ka dërguar 15 punonjës.


Është detyrim ligjor për vendet e punës. Nga 197 punonjës qe kemi kërkuar ministria e financave ka dërguar për 15 punonjës. Shtesat prej 197 punonjësish e bazuar ne ligjin e ri te prokurorisë që ka nisur të zbatohet. Janë 30 punonjës police të policisë gjyqësore, 100 sekretare pranë çdo prokurori, punonjës për dekriminalzimin- tha përfaqësuesi i prokurorisë në komision, Luan Abazaj.


Por, Fino ka thënë që një kërkesë e tillë është sikur ta krijosh nga fillimi institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që Ministria e Financave ka aprovuar një shtesë për 50 persona.


Të kërkosh rreth 200 veta me duket absurde. Prokuroria e Përgjithshme ka realizuar vetëm 30% të investimeve deri me tani. Nuk kemi pse ti japim kaq shume për investime, kur këto nuk realizojnë investimet. Me ligjin e ri dhe reformën ne drejtësi, ministria e Financave ka marrë në ngarkim që pas vettingut pagat e reja qe janë me të larta. Fondi i pagave i domosdoshëm dhe i përballueshëm- tha Fino.


Më pas, u dakordësua që shtesa për organin e Prokurorisë të jetë 60 persona.


Edhe Shkolla e Magjistraturës paraqiti një kërkesë që ngjalli diskutim, pasi kryetari i saj kërkoi fonde për një makinë të re dhe kjo gjë e acaroi Bashkim Finon, i cili tha se Shkolla e Magjistraturës është institucioni me rritjen më të ndjeshme në buxhet dhe kjo rritje mjafton.


Edhe Gjykata Kushtetuese paraqiti kërkesë për një fond prej 10 milionë lekësh të reja për rikonstruksionin e ambienteve të saj. Në fund, Presidenca nuk kishte asnjë kërkesë.


7 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)