Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Përgjithshme kërkon përsëri ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, për t'i komunikuar mbylljen e hetimeve të dosjes "Durrës-Kukës" dhe dërgimin e fashikullit të provave në gjykatë. Një veprim i tillë i Prokurorisë së Përgjithshme vjen në një kohë kur ish-ministri i Transporteve ndodhet jashtë vendit, në cilësinë e ministrit të Jashtëm deri më 7 dhjetor 2008, si dhe vetëm pak ditë pasi ai refuzoi të paraqitet në organin e akuzës ku u thirr në cilësinë e të pandehurit. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë dje se në adresën e ministrit të Jashtëm, Basha, është nisur një letërthirrje e dytë, ku të pandehurit i komunikohet se data e fundit kur mund të paraqitet në Prokurori për t'u njohur me përfundimin e hetimeve është e premtja e 6 dhjetorit 2008. Një veprim i tillë mësohet se është bërë në kuadër të detyrimeve procedurale për njohjen e të pandehurve me aktin e përfundimit të hetimeve dhe nisjen e dosjes për shqyrtim në gjykatë. Madje, sipas këtyre burimeve të Prokurorisë, nëse ministri nuk paraqitet në këtë afat, organi i akuzës do t'i drejtohet Gjykatës së Lartë për zbatimin e urdhrit të letërthirrjes që është nisur në adresë të ministrit të Jashtëm. Ai është marrë në cilësinë e të pandehurit në dosjen "Durrës-Kukës", i akuzuar për "shpërdorim detyre" bashkë me ish-kreun e Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Transporteve, Andi Toma, duke kryer në bashkëpunim mbi 19 shkelje në procedurat e ndjekura me ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Ndërkohë në Gjykatën e Apelit në Tiranë pritet të merret në shqyrtim të mërkurën kërkesa e Prokurorisë për shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës të datës 18 nëntor. Me këtë vendim, Gjykata e Shkallës së Parë shfuqizoi aktin e Prokurorisë së Përgjithshme për shtyrjen me një muaj të afatit të hetimeve për dosjen "Durrës-Kukës". Për shkak se gjykata i konsideroi të pavlefshme hetimet e Prokurorisë pas datës 6 nëntor 2008, organi i akuzës apeloi këtë vendim duke kërkuar prishjen e tij. Burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme nuk konfirmuan të jetë nisur ndonjë letërthirrje në adresë të ministrit të Jashtëm, Basha, por thanë se hetimet do të përfundojnë në afatin e 6 dhjetorit, kur dosja pritet të shkojë në Gjykatën e Lartë, pasi ajo ka kompetencën e gjykimit të personave me imunitet.

Basha tur diplomatik në Evropë

Ministri i Jashtëm Lulzim Basha, do të nisë sot një tur gjashtë ditor në disa vende të Evropës, ku do të marrë pjesë në disa aktivitete zyrtare shumëpalëshe. Në 2-3 dhjetor, në Bruksel, do të zhvillohet Mbledhja e radhës e ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s. Për herë të parë në një mbledhje të tillë, do të marrin pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Kroacisë. Po më 3 dhjetor, pasdite, Basha, do të udhëtojë për në Oslo, ku do të nënshkruajë në emër të Qeverisë, Konventën e OKB-së për Ndalimin e Municioneve Thërrmuese. Më 4-5 dhjetor, Basha, do të marrë pjesë në punimet e sesionit të 16-të të Mbledhjes së Ministrave të Punëve të Jashtme të OSBE-së, që do të zhvillohet në Helsinki. Ndërsa në datat 6-7 dhjetor, ministri i Jashtëm do të marrë pjesë në Konferencën e organizuar në Berlin nga Instituti gjerman "Aspen", me temë "Një Dialog i ri Transatlantik: Liderët Gjermanë dhe Amerikanë
në Dialog me Ballkanin".

Dosja “Basha” në Gjykatën e Lartë

Sipas ligjeve në fuqi, Gjykata e Lartë vepron njëlloj si Gjykatë Fakti për çështjet penale, në të cilat palë janë persona që gëzojnë imunitet deputeti, si dhe Kryeministri apo Presidenti i Republikës. Kjo vlen edhe kur në çështjen gjyqësore ndodhen edhe persona të tjerë, mjafton që njëri prej tyre të ketë imunitet. Kolegji Penal pesë anëtarësh i Gjykatës së Lartë, merr provat e paraqitura nga palët dhe i shqyrton ato për të vendosur në bazë të tyre. Në rastet e tjera, kompetencën për gjykimet e kanë Gjykatat e Shkallës së Parë, sipas specifikës së objektit të gjykimit. Konkretisht, kohët e fundit, Gjykata e Lartë ka marrë në dorë dosjen e rrugës "Durrës - Kukës", ku njëri prej të pandehurve është ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i cili sipas Prokurorisë akuzohet të ketë konsumuar veprën penale gjatë kohës që mbante postin e ministrit të Transporteve.                   f.m