Enver Hoxha në vitet e para pas Çlirimit


Letra e Kosta Boshnjakut, ish-drejtor i Bankës për Enver Hoxhën.


Historia e panjohur e konfliktit për modelin e ekonomisë në vitet e para të regjimit komunist.


Në kulmin e euforisë së shkaktuar nga rezultati i zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, lidershipi komunist, i përfshirë në revanshin e   shtetëzimeve, është përballur me një oponencë të fortë që vinte jo nga viktimat e procesit, por nga zëra brenda sistemit.

Jo dhunës ndaj pronës private! Apeli zyrtar i Konstantin Boshnjakut, kreut të porsazgjedhur të Bankës së Shtetit, i kundërvihej kështu modelit stalinist të ekonomisë ofruar nga fituesit e zgjedhjeve të para të Pasluftës, madje me zë të lartë. Bashkë me kundërshtitë për reformat arbitrare, ai adresonte për Enver Hoxhën dhe qeveritarët komunistë alternativën e ekonomisë së tregut dhe të iniciativës së lirë. Në promemorien e panjohur të 22 dhjetorit 1945, ish-Guvernatori i Bankës, shprehet qartë e prerë: Pa iniciativën private, pa sektor privat, pa punën e tërë popullit, nuk ka prodhim, nuk ka rindërtim, as ndërtim, dhe as përparim të ekonomisë. I bindur në argumentin e vet, por edhe për pasojat e përplasjes, Boshnjaku nuk hezitonte ta çonte deri në fund kritikën ndaj diletantizmit që kishte rrëmbyer politikën e Enver Hoxhës me përpjekjet donkishoteske për të kapërcyer arbitrarisht prapambetjen e trashëguar e për tu futur në rrugën e një ekonomie pa pronë private. Në shtjellimin e mëtejshëm, zyrtari i lartë, duke shqyrtuar me kthjelltësi arsyet pse nuk duhet fetishizuar rëndësia e sektorit shtetëror, tërheq vëmendjen për të mos ngritur artificialisht rolin e tij, mbasi kjo do ta bënte parazitar, ca më tepër që sektori shtetëror përbëhet nga pjesë të trashëgimisë të lëna nga Italia dhe jo nga realizime të zhvillimit gradual të ekonomisë, e cila gjendet në fazën e saj primitive. Me merakun e intelektualit profesionist, Boshnjaku hedh idenë e rëndësisë së rolit të ekonomistëve kompetentë dhe të përparësisë së tyre mbi politikanët e ideologët në strukturat e angazhuara me përpunimin e strategjisë ekonomike.

Po çfarë përmban tjetër promemoria e dhjetorit 45, kush është profili i autorit dhe çfarë ndodhi me të pas adresimit të saj te Enver Hoxha dhe ministrat e tjerë të qeverisë së parë komuniste…


PROMEMORIA

Banka e Shtetit Shqiptar

Drejtoria e Përgjithshme

Tiranë, më 22 dhjetor 1945


Rezervate

Vetëm ministrave


Promemorie mbi rrugën që duhet të ndjekë sot ekonomia shqiptare


Sot, kur Shteti ynë është mjaft i konsoliduar dhe gjëndet në kondita të mira politike si të jashtme, ashtu dhe të mbrendëshme, kujdesi më i math yni duhet të jetë si të përparojmë ekonomikisht.

Po në këtë drejtim ne nuk kemi bërë mjaft punë dhe munt të themi që në politikën tonë ekonomike ne nuk jemi konsekuent, gjë që jep përfundime të dëmshme për ekonominë e vendit.


Kostandin Boshnjaku


E kam fjalën,

-në iniciativën e private, nga një anë

-në ekonominë e sektorit shtetnor, nga ana tjetër

Rreth këtyre dy ekonomive ka një konfuzion mjaft të math.

Jam i mëndjes që nè iniciativës private duhet ti japim rëndësi të madhe, duhet ta inkurajojmë dhe sidomos të mos ta çqetësojmë herë pas here se, pa iniciativën private, do me thënë pa sektor privat, d.m.th. pa punën e tërë popullit shqiptar, nuk mund të bëhet as prodhim, dhe kuptohet vet vetiu, as rindërtim, as ndërtim, dhe as një përparim në ekonominë tonë.

Iniciativë private do të thotë puna që bën tërë Shqipëria: puna e katundarit, puna e zanatçiut dhe çkëmbimi i prodhimit të kësaj pune prej tregëtarit të vogël, prej tregëtarit të mesëm dhe prej tregëtarit të math.

Sa për ekonominë e sektorit shtetnor, kësaj ekonomie ne nuk duhet ti japëm më tepër rëndësi se sa ajo ka në realitet, në barasim me ekonominë e përgjithshme, dhe nuk duhet të mundohemi që këtë ta ngremë artificjalisht në dëm të ekonomisë private, mbasi një gjë e tillë do ta bënte parazitare. Pastaj duhet ta dimë që sektori ynë shtetnor përbëhet prej disa trashëgimive që na ka lënë Italija, dhe këto nuk janë realizime të ardhura nga zhvillimi gradual i ekonomisë sonë, e cila gjëndet në fazën e saj primitive.

Ne, fjala bie, u kemi dhënë tapi bujqve dhe i kemi bërë pronarë e nuk i kemi shtetëzuar ose kolektivizuar tokat. Kjo është bërë tamam ashtu si duhej bërë. Në gjëndjen tonë të sotme ashtu duhet bërë. Po këtë linjë duhet ta mbajmë kudo.

Ne që gjëndemi në këtë vend ku ka akoma disa mbeturina të matriarkatit, shumë të patriarkatit dhe më shumë të feodalizmit e që sot jemi nalfa të revolucionit tonë borgjez, nuk duhet të injorojmë se ku gjëndet ekonomia jonë sot, se aherë nuk bëjmë punë revolucionare.

Ne duhet të jemi objektivë dhe të jemi konsekuentë. Duhet ta lëmë katundarin ta shesë prodhimin e tij lirisht dhe tregëtarin ti bëjë po ashtu lirisht çkëmbimet, duke paguar taksat.

Duhet të favorizojmë çdo shoqërim që ka për qëllim prodhimin, çkëmbimin ose industrializimin. Të bëhen shoqërira të vogla e të mbëdha: kolektive, anonime. Le të bëhen edhe banka prej privatvet. Neve nuk na janë aspak të rrezikshme.

Po kupëtohet vetiut që do të favorizohet forma e kooperativavet ngjer sa këto nuk janë artificiale dhe janë në baza të forta.

Përgjithësisht ne duhet të kemi për qëllim shtesën e prodhimit dhe pasurimin e atyre që punojnë. Sa do që të pasurohen këtu brenda, le të pasurohen, mjaft që kapitalet ose fitimet të mos i nxjerrin jashtë.

Sa për ekonominë e sektorit shtetnor, ajo duhet të organizohet në baza tregëtare. Një ekonomi shtetnore nuk duhet të ushqehet nga buxheti, por duhet ti japë buxhetit fitime. Ata që do të punojnë në të tilla organizata ekonomike, duhet të mësojnë nga privatët si punohet dhe si fitohet, se po të japën zarare nuk ka kuptim që të ekzistojnë të tilla organizata.

Ministritë nuk duhet të merren me tregëtira dhe nuk duhet tu ndërhyjnë atyre që merren me organizata ekonomike shtetnore, se tjatër soj sbëjnë dot as punën e tyre të ministrive dhe u prishin punë edhe të tjerëve.

Kush është ngarkuar me një punë ekonomike duhet të lënë të bëjë punën e tij në qetësi, që mundë ta përmirësojë e ta zhvillojë. Këta nuk duhet të ndryshohen dëndur, se i bënet dëm punës.

Problemet ekonomike duhet të zgjidhen si mbas ligjeve të tyre dhe në çdo mënyrë tjatër zgjidhjeje bën dëm.

Jam i bindur se, kur të caktohet mirë rruga e mësipërme, e cila unë kujtoj se është ajo ku duhet sot të shkojë ekonomia jonë, kjo në një kohë shumë të shkurtër do marrë një hov të math dhe do të përparojë, duke vënë në eksploatim të shpejtë pasuritë tona të panumurta dhe do ta shtyjë përpara rindërtimin, ndërtimin dhe pasurimin e vendit tonë.

Konstantin Boshnjaku


HISTORIA E DOKUMENTIT

Promemoria e Boshnjakut për modelin e ekonomisë së tregut ishte një sinjal i fortë për Enver Hoxhën në ditët e para të qeverisë komuniste, por jo i vetmi. Qasja e Guvernatorit të Bankës, këtë herë nuk ishte një rrufe në qiell të pastër. Njeriu që kishte marrë në dorë frenat e