Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, të enjten, u bë promovimi i librit ‘Komunikimi muzeor’ i autorit Shefki Stublla.

Për librin, i cili është botuar nga Shoqata Kulturore ‘Anton Pashku’, folën studiues të ndryshëm të kësaj fushe. Ata e vlerësuan lartë librin e Stubllës dhe theksuan se një libër i tillë i ka munguar literaturës sonë.

“Është ky një kontribut i autorit që e dallon nga shumë të tjerë të kësaj fushe për mundësitë që ofron me këto të dhëna”, tha Ukë Xhema, profesor në Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Ndërkaq, Riza Sadiku, bashkëpunëtor i lartë shkencor në Muzeun e Kosovës, u shpreh se autori Shefki Stublla në librin e tij ‘Komunikimi muzeor’ vend meritor i ka dhënë trashëgimisë kulturore të Kosovës në të kaluarën dhe të tashmen. Ndërsa, Sulejman Dermaku, redaktor i librit, tha se kjo vepër mund të merret si kontribut në përparimin e mendimit muzeor në aspektin teorik dhe atë praktik.