Autori i Lajmit: red.
Visar Zhiti



I njohur, i admiruar, i përkthyer dhe vlerësuar në botë, Visar Zhiti është një hero i ditëve tona, një hero për të cilin atdheu, idealet dhe besimi në shpirtin e shenjtë të njeriut kanë qenë më të rëndësishme se shkretëtira e mahnitjes ndaj vetvetes. I lumtur është atdheu me heronj dhe mendimtarë të këtillë, dimensionet e të cilëve e përmbushin fatin e një kombi siç është Shqipëria.



Baki Ymeri

Pardje u përurua në Bukuresht një nga veprat më të mira të poetit shqiptar Visar Zhiti. Fjala është për romanin “Funerali i pafundmë”, të cilin e ka përkthyer me përkushtim në gjuhën rumune dr. Luan Topçiu. Ishin prezentë në këtë manifestim dinjitoz, ambasadori i Shqipërisë në Rumani, Shkëlqesia e Tij, Dashnor Dervishi, themeluesi i komunitetit shqiptar, dr. Xhelku Maksuti, miq të mëdhenj të kulturës shqiptare (Tiberius Puiu, Mihai Antonesku, Victoria Milesku, Mihai Prepelica), shkrimtarë rumunë, kuadro universitare, massmedia televizive etj.

Në fjalën e hapjes, Laurian Stankesku, në emër të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, do të theksojë: “Në radhë të parë dua të shpreh gëzimin tim për prezencën e këtij shkrimtari të madh shqiptar në Rumani. Visar Zhiti është njëri ndër shkrimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë. Më ka impresionuar sidomos besimi i patundur dhe dashuria e pakufishme që ka ndaj njerëzve, dhe ma merr mendja se për zotërinë e tij shpirti i njeriut është gjëja më e shenjtë që e ka krijuar Zoti. Ky libër është i përjetuar, ngase autori ka qenë viktimë e disa persekutimeve të paimagjinueshme nga infraktorët e diktaturës. Në periudhën komuniste është konsideruar si “poet dekadent” dhe “armik i popullit”. I dënuar me dhjetë vjet burg, do të çlirohet pas tetë vjet llogoresh, duke vazhduar të luftojë në gjirin e lëvizjes demokratike të Shqipërisë. I njohur, i admiruar, i përkthyer dhe vlerësuar në botë, Visar Zhiti është një hero i ditëve tona, një hero për të cilin atdheu, idealet dhe besimi në shpirtin e shenjtë të njeriut kanë qenë më të rëndësishme se shkretëtira e mahnitjes ndaj vetvetes.”

Promovimi i Visarit në Bukuresht ishte një moment historik që do të mbahet mend. U bë fjalë për rëndësinë dhe vlerat letrare, filozofike dhe estetike të romanit të tij, i dinamizuar në paskopertinë me tre medalione të qëndisura nga tre kritikë të shquar nga Kanadaja, Anglia dhe Italia (Robert Elsie, Kevin Higgins, Elio Miracosso). Ambasadori Dervishi, para se të bëjë fjalë për veprën dhe idetë që hedh autori në këtë roman, do të theksojë ndër të tjera se përpara se të vijmë në këtë ceremoni, ne kishim një aktivitet tjetër të organizuar nga ambasada jonë. Ishte një recepcion i organizuar me rastin e hyrjes së Shqipërisë në NATO, atë që Rumania e ka bërë para 5 vitesh. Takimi në Klubin Diplomatik të Bukureshtit ishte një cakrrim gotash me një numër të madh oficerësh e gjeneralësh rumunë që erdhën për të na uruar për futjen e Shqipërisë në gjirin e Aleancës më të fuqishme në botë. Përfaqësuesja e Shtëpisë Botuese ”Grupul Editorial Corint” e potencoi faktin se romani i Visar Zhitit shkon duke e joshur publikun rumun, ngase në faqet e tij e gjejmë vendin edhe ne që kemi përjetuar tortura të ngjashme në periudhën e kujtesës së trishtë.



Rumania ka një poezi të mrekullueshme që i bën nder globit tokësor

Dr. Luan Topçiu bëri fjalë për rolin e përkthimit letrar, për bukurinë e tekstit, për talentin e lindur të autorit, për rëndësinë e transmetimit të mesazhit nga një gjuhë në tjetrën, duke potencuar faktin se pas një vëllimi dygjuhësh me poezi, “Funerali i pafundmë” është libri i dytë i Visar Zhitit që e sheh dritën e botimit në gjuhën rumune. Për rëndësinë e manifestimeve të këtilla të ditëve tona foli edhe autori i romanit të përuruar, i cili do të deklarojë, së pari për të pranishmit, kurse më vonë edhe për revistën “Shqiptari”: “Faleminderit shumë për këtë takim të mrekullueshëm që keni organizuar për mua. Unë jam shumë i emocionuar në këtë ditë të sotme. Ndoshta nuk do ta thosha unë, por ju vetë e përmendët faktin se poezia është ajo që më çoi në ferr, më çoi në burg, dhe tani është poezia ajo që më sjell në Bukuresht, në një nga metropolet e kulturës evropiane. Të vish nga burgjet për një libër tëndin në Bukuresht, dhe po atë ditë të jetë festa që vendi yt është pranuar në NATO, vërtet është një fat i madh që ia kalon edhe fantazisë. Shpeshherë shkrimtarët porosisin se shpatën mund ta hedhësh, por mburojën duhet ta mbash. Mendoj se NATO-ja është një mburojë hyjnore, për atë duhet ta duam, por njëkohësisht mendoj dhe besoj se shkrimtarët e kanë një mburojë ende më të fortë, dhe kjo është poezia, përkatësisht letërsia. Është një emocion i fortë dhe i bukur që të vish të promovosh një libër tëndin në Bukuresht, që është vendi i poezisë së madhe që bëjnë poetët rumunë, që i japin Evropës dhe botës, por është edhe vendi ku një komunitet i talentuar shqiptarësh boton fjalën e vet në gjuhën shqipe dhe në gjuhën rumune, një mision fisnik që tregon forcën e shqiptarëve që dinë të komunikojnë me të tjerët. E quaj veten me fat, duke i falënderuar të gjithë ata që u mblodhën në këtë ditë për ta nderuar një roman shqiptar. Krahas falënderimeve që bëj për të pranishmit, për personalitetet e kulturës rumune dhe shqiptare aty, pikësëpari falënderoj ambasadorin shqiptar që ka dhënë kontribut për ngritjen e bustit të Naim Frashërit në Bukuresht. Gjithashtu, vlerësoj punën e mrekullueshme që bën diaspora për botimet antologjike, duke e përfshirë në to edhe Ismail Kadarenë, që e bën me përkushtim poeti dhe përkthyesi i mirënjohur, miku i gjithë shqiptarëve në botë, Baki Ymeri. Po kështu, kam kënaqësinë që të përshëndes rumunët që na lexojnë dhe shqiptarët që shkruajnë dhe punojnë për afirmimin e kulturës sonë në botë”.



Një aureolë drite që rrezaton një ngrohtësi të madhe njerëzore

Si e vlerësuan shkrimtarët rumunë këtë manifestim? “Sipas mendimit tim, - thekson Monika Mureshan (poete dhe kritike letrare), - më impresionoi fakti që për ta njohur për së afërmi dhe për ta nderuar këtë njeri, erdhën edhe nga provinca një numër i konsideruar shkrimtarësh (Ana Hancu, Ion-Ianku Vale etj.), gjë që dëshmon se me të vërtetë jemi kushërinj gjaku, siç ka thënë Jorga i pavdekshëm për këta dy popuj të pavdekshëm. Herë-herë, vëren në sytë e tij një trishtim të thellë që dëshmon se ka përjetuar traumat e persekutimit komunist. Që në shikim të parë kur e vëren, konstaton se Visar Zhiti ka një aureolë drite përreth tij. Në radhë të parë ka një përqendrim të shikimit (të kundron drejt), ka veti karakteristike të qëndresës që rrezaton një gamë të madhe të ngrohtësisë njerëzore. Me një fjalë, e ndien se është një karakter i fuqishëm, i dyfishuar me një qenie interiore të ekulibruar të bujarisë dhe shpirtmirësisë. Pra, është një harmoni ndërmjet brendësisë së tij dhe eksteriotitetit. Këtë e vëren në shembëlltyrën e tij, si dhe në diskursin impresionues që shpreh gëzimin e tij të jashtëzakonshëm për të qenë i mirëpritur në gjirin e shkrimtarëve rumunë.”

Duke bërë fjalë për një numër të konsideruar poetësh shqiptarë që kanë marrë pjesë në festivalin e Netëve të Poezisë në Kurtea de Arxhesh, poetesha Karolina Ilika do të theksojë faktin se tre janë vendet më të njohura në botë ku kultivohet letërsia e mirëfilltë (Amerika Latine me prozë, bota arabe me poezi, dhe Ballkani, edhe me poezi, edhe me prozë). Në vazhdim, Karolina do ta vlerësojë lart romanin e Visar Zhitit si dhe një studim të Luan Topçiut për sentimentin e mallit në letërsinë shqipe dhe rumune, si dhe kontributin që japin shqiptarët e Rumanisë për rikëndimin e shkrimtarëve rumunë në gjuhën shqipe dhe të autorëve shqiptarë në gjuhën rumune: “Janë miqtë tanë që meritojnë t i nderojmë, siç e nderojmë sot edhe shqiptarin e famshëm të letrave shqipe, zotin Visar Zhiti, të cilit i urojmë mirëseardhje në gjuhën rumune”. Konsiderata të ngjashme do të shprehë për Visar Zhitin edhe poeti Mihai Antonesku: “Në sytë e tij vërehej hija e vuajtjeve. Ishte një falënderim i madh dhe një gëzim i jashtëzakonshëm që gjendej në një vend mikpritës. Salla ishte plot, dashamirët ishin të panumërt, duartrokitjet ishin të përzemërta. Duke qenë këshilltar i ministrit në ambasadën e Shqipërisë në Romë, obligimet e tij ndërlidhen edhe me diplomacinë, ndaj na vjen keq pse nuk patëm fat ta ngremë me të nga një dolli në tavernën e Muzeut të Letërsisë Rumune ku kemi kthyer për ta kremtuar këtë manifestim. Visar Zhiti është Paul Goma i Shqipërisë. Paul Goma është një shkrimtar rumun që ka përjetuar të njëjtat persekutime barbare në zgafellat e burgut komunist, por për fat të keq, ende i parehabilituar në këtë vend. Visar Zhiti është shkrimtari që i përket përjetësisë”.



Ky lajm është publikuar: 11/04/2009