Jakov Xoxa zbret në Fier sërish me një tjetër studim monografik. Në ambientet e Bibliotekës Publike në qytetin e Fierit  u prezantua kjo prurje e re me titull \"Rrugëtim mes realizmit dhe modernizmit në prozën e Jakov Xoxës\", nga autorja Aurora Damini. 


Merrte pjesë në këtë takim promovues studiuesi dhe shkrimtari prof.dr. Nasho Jorgaqi, poeti dhe kineasti Petrit Ruka, shkrimtari Myrteza Mara, kritiku Nuri Plaku, Agron Xoxa, i biri i Jakov Xoxës, kryebashkiaku i Fierit Baftjar Zeqaj, mësuesi  pasionant i letërsisë, Toli Shabani, e shumë personalitete të letrave, intelektualë të qytetit e miq të autores.


Të pranishmit kanë sjell vlerësime, jo vetëm për figurën poliedrike të Jakov Xoxës,  por edhe për studimin e bërë nga Damini. Kjo e fundit në librin e sjell për lexuesin e gjerë na dëshmon të tjera detaje e rrëfime mbi veprimtarinë krijuese të Xoxës.


 


Prof.dr. Nasho Jorgaqi u shpreh se Jakov Xoxa është një figurë që kërkon vëmendje në cdo kohë, nga cdo brez.


 


“Gjuha e Jakov Xoxës kërkon vëmendje të vecantë dhe studim të vecantë, sepse ai ka larmitet shprehjesh dhe pasuri të pafundme. Do t’i sugjeroja autores ta vazhdonte lëvrimin në fushën e studimeve për këtë figurë të shquar të letërsisë sonë, tek i cili gjithmonë do të gjesh pasuri te reja”,-ka vijuar ndër të tjera Nasho Jorgaqi.


 


 \"Karakteri shkencor i kësaj vepre dominohet nga një rrezatim i gjerë hulumtues. Studiuesja Damini na prezanton një kontribut të ri në fushën e studimeve letrare kushtuar Jakov Xoxës, i cili i bën nder jo vetëm asaj, por edhe vet emrit dhe figurës së shkrimtarit tonë të madh\",- tha Nuri Plaku. 


 


\"Është një nga analizat më të thella dhe më të plota që i është bërë këtij shkrimtari të madh të letërsisë shqipe. Autorja ka bërë një punë mbresëlënëse dhe një studim të thellë për letërsinë e madhe të Xoxës\", - u shpreh ndër të tjera Petrit Ruka. 


 


Ndërkohë shkrimtari, Myrteza Mara u shpreh se ky është një libër me vlera të mirëfillta studiuese, ndërsa përgëzoi autoren për këtë insiativ.


 


Ndërkohë, një falenderim të vecantë bëri Agron Xoxa, i cili u shpreh se këtë libër e ka përjetuar me emocione.ndërsa ka falenderuar të pranishmit për nderin që i bëjnë figurës së babait të tij.


Autorja Damini  u shpreh se ky libër është produkt i i një obligimi që ndjente ajo për figurën e Xoxës, temë më të cilën ka mbrojtur magjistraturën.


\"Me të vërtetë ndihem e çliruar nga një detyrim i madh që ndieja brenda vetes. Xoxa ishte një nga shkrimtarët e mi më të adhuruar. Personazhet e romanit \"Lumi i Vdekur\", mesazhet që përcjell krijimtaria e tij, mbeten të gjalla dhe koherente\",- tha autorja. 


 


Aurora Damini ka lindur në qytetin e Fierit. Ajo ka përfunduar studimet universitare në Universitetin \"Aleksandër Xhuvani\" në degën gjuhë-letërsi e më pas studimet pasuniversitare në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Është autore e  librave :  \"Po nesër\", \"Kali i bardhë i ëndrrave\" dhe “Rrugëtim mes realizmit dhe modernizmit në prozën e Jakov Xoxës”


 


 Irena Pepe