Pronësia e Teatrit Kombëtar ka sjellë në komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik kreun e Hipotekës, Valdrin Pjetri.


Demokratët kanë kërkuar të dijnë sa pronarë privatë ka në zonën prej 10.625 m2 rreth Teatrit Kombëtar, por Pjetri ka thënë se nuk mund të japë informacione për subjekte private.


Informacione japim për pasuritë pronar-shtet, apo që kanë në pronësi administrimi pushteti vendor ose qendror. Për pasuritë private garantuar me ligj me kërkesë pronarit ose institucionit me ligj, në zbatim të Kushtetutës, neni 35 përcaktohet qartë se askush nuk mund të detyrohet përveçse kur e kërkon ligji të bëjë publike të dhënat, tha Pjetri.


Ai informoi deputetët e komisionit se ka sjellë vetëm kartelën e pasurisë së teatrit por jo të subjekteve private përreth. Por kryetarja e komisionit Albana Vokshi thotë se për të fshehur sesa pronë private ka Fusha shpk tek zona e Teatrit, kryeregjistruesi keqinterpreton Kushtetutën dhe ligjin e mbrojtjes së të dhënave personale. Vokshi tha se Parlamenti është institucion i ngarkuar me Kushtetutë për të marre informacion.


Ndërkaq, referuar teatrit, Pjetri tha se në 1938 prona i është blerë familjes Libohova në llogari të Mbretërisë Italiane.


DEBATI NË KOMISION:


Albana Voshi: Informacioni që na keni dhënë nuk kanë lidhje me specifikat që kemi kërkuar. Cilat dispozita ligjore jeni mbështetur. Cila dispozitë ligjore ju ndalon juve të jepni informacione?


Besnik Bare: Po e orientoni drejt asaj që doni ta çoni ju. Do ju lutesha që të lejojmë të flasë kryeregjistruesi. Pastaj le të bëjmë atë luftën patriotike.


Vokshi: Skemi luftë këtu. Skemi ardhur për luftë.


Bare: Preferoj një etikë tjetër, drejtimin nga zoti Pollo.


Vokshi: Këtë shprehje e përdorni shpesh dhe e keni bërë bajatë. Ne kemi për detyrë që të bëjmë transparencë. Jepni informacione këtij komisioni. Është shumë e thjesht.


Valdin Pjetri: Duhet tu sqarojë juve kryetare dhe komisionin se në datë 9 ka ardhur kërkesa për tu paraqitur në komision, pasi koha ishte e shkurtra.


Vokshi: Hartën se keni sjellë! Ku është harta?! Kemi kërkuar sipërfaqen të regjistruar në pronësi të teatrit kombëtar, dhe pasuritë e paluajtshme ku ndodhet teatri. Pasuritë e paluajtshme që kufizojnë Teatrin Kombëtar. Gjenda aktuale e pronësisë së pasurive të paluajtshme që përfshihen brenda zonës kadastrale.


Valdin Pjetri: Pronësia është hedhur sipas kartelës së pasurisë. Përsa i përket pasurisë së paluajtshme që është shitur, nuk kishte një kontratë.


16 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)