Instituti i Firences në Itali ruan një bazë të dhënash tepër të vyera ku ka të regjistruar të gjitha pronat që kanë pasur komunitetet fetare në Shqipëri. Ish-Instituti Mbretëror i Firences i cili në vitet 1930 dha këshillat për reformën agrare të atyre viteve, ka arritur që të krijojë një arkivë për pronat e komuniteteve fetare. Ky institut ruan të dhëna të plotë mbi këto prona. Eduard Halimi, deputeti i sapozgjedhur në Durrës, ish-ministër i Drejtësisë për mbi dy vjet dhe më pas Avokati i Shtetit Shqiptar, thotë për gazetën: “Instituti italian ruan një bazë të dhënash të plotë mbi pronat e komuniteteve fetare në vend”. Ai thotë se privatisht ka vizituar këtë institut i cili ka një arkivë të vyer. Halimi shprehet se nuk ka dijeni së në cili është komunikimi i shteti shqiptar me këtë institut për të tërhequr arkivën, por ai konfirmon se Instituti i Firences është i gatshëm që të japë këtë arkivë për vendin tonë. “Besoj se Shqipëria duhet të bëjë gati procedurat e duhura për bazën e të dhënave”, - thotë z. Halimi.


Ndërkaq, shteti shqiptar prej kohësh është në kontakt me Institutin e Firences. Nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bëhet e ditur se ende nuk është marrë arkiva e këtij instituti. Nga kjo agjenci bëhet e ditur se në funksion të zgjidhjes së problemit “kultet fetare si ish-pronarë”, janë organizuar tryeza të rrumbullakëta me përfaqësues të kulteve fetare, të cilët në dobi të procesit të kthimit dhe kompensimit kanë parashtruar pretendimet e tyre si ish-pronarë, por edhe mundësitë për gjetjen e një banke të dhënash në ndihmë të të gjithë ish-pronarëve, kjo ishte pranë Institutit të Firences - i cili në periudhën e regjimit të Mbretit Zog ka qenë i ngarkuar me regjistrimin e të gjitha pasurive të patundshme shqiptare të asaj kohe. AKKP-ja thotë se “menjëherë u panë mundësitë për kontaktin me këtë institut me qëllim marrjen dhe disponimin e këtij informacioni nëpërmjet një bashkëpunimi mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Jashtme”. Në këtë periudhë, shteti shqiptar dhe komunitetet fetare janë në mes të bisedimeve për kthimin e pronave këtyre të fundit. Mbas miratimit të marrëveshjeve në Kuvend mes komuniteteve fetare dhe qeverisë, lind detyrimi që Komuniteti Mysliman, Katolik dhe ai Ortodoks të tërheqin pronat e tyre që u konfiskuan me dhunë nga sistemi komunist, por kthimi i pronave për komunitetet fetare nuk është varur vetëm nga vullneti politik, por edhe mangësia në dokumentacion. Komunitetet fetare, ndonëse kishin pasuri të shumta para vitit ‘45, ato në të shumtën e rasteve nuk ishin të regjistruara në emrin e tyre. Një pjesë e madhe e pronave kanë qenë të dhuruara në vite nga besimtarë, por që komunitetet në ato vite nuk i regjistronin në Hipotekën Mbretërore si të tyret, ndonëse i kishin përfituar si trashëgimi. Mbreti Zog, në kuadër të reformave të viteve ‘30, nisi edhe atë agrare. Qeveria e asaj kohë kontraktoi Institutin Mbretëror të Firences në Itali (sot njihet si Instituti i Firences), për të bërë një regjistrim të pronave në Shqipëri si dhe për të dhënë sugjerime për reformën agrare. Ky institut ka regjistruar edhe pronat e komuniteteve fetare në vitet ‘30, çka përbën ndoshta informacionin më të besueshëm. Mbi bazën e këtyre të dhënave, do të behet edhe kthimi apo kompensimi i pronave për komunitetet fetare në Shqipëri.