Kryebashkiaku i Lezhës mbahet në arrest shtëpie me vendim gjykate si pjesë e hetimeve për tjetërsimin e pronave shtetërore në bregdetin e Shëngjinit.


Prokuroria këmbëngul se Fran Frrokaj është pjesë e një zinxhiri përmes, të cilit janë përvetësuar mbi 234 mijë metra/katrorë tokë në zonën e plazhit në vendin e quajtur Mali i Rencit dhe Mali i Shëngjinit.


Por, avokati i Fran Frrokajt tha këtë të enjte në emisionin Të Paekspozuarit se klienti i tij është viktimë dhe se dokumentacionet janë falsifikuar ndër vite nga personat që kanë sot pronësinë e këtyre pronave.


Disa fshatarë me dokumenta të falsifikuara janë bërë pronarë të një sipërfaqjeje në zonën e Malit të Shëngjinit dhe Malit të Rencit. Fshatarët kanë falsifikuar gjithçka. Kanë mundur ti regjistrojnë dhe duke shfrytëzuar dobësinë e strukturave administrative, vigjilencën dhe detyrimin e tyre ligjor për të verifikuar, kanë arritur që ti regjistrojnë këto prona, deklaroi avokati Neshat Fana.


Avokati thotë se dokumentacionet nuk janë falsifikuar nga asnjë prej institucioneve, ashtu siç akuzon Prokuroria.


Bashkia, Këshilli i Qarkut dhe Hipoteka kanë qenë në të njëjtën linjë, i kanë quajtur të sakta këto dokumentacione. Këto institucione nuk kanë falsifikuar dokumente, por janë falsifikuar jashtë këtyre institucioneve. Janë falsifikuar edhe vulat e institucioneve, deri tek vula e Këshillit të Qarkut, u shpreh ai.


Ndërkohë analisti Andi Bushati, deklaroi se pretendimi i avokatit duket disi qesharak, pasi në Shqipëri prej 20 vitesh janë pushtetarët që përdorin fshatarë të thjeshtë për të grabitur pronat publike.


Pushteti përdor peshqit e vegjël për të bërë këto vjedhje. Praktika në këto vite ka treguar që është një pushtetar me shumë pushtet, që përdorin disa fshatarë për të përfituar, ky është rasti tipik në vendin tonë që ka ministër, kryetar bashkie, kryeministër që bëjnë këto skema dhe përdorin peshkun e vogël. Qenka shumë e lehtë që një falsifikator, e regjistron më lehtë tokën sesa ai që ka tokën e vetë dhe të trashëguar me dokumenta, tha Bushati.


22 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)