Më shumë pronarë të paligjshëm, se të ligjshëm? Flasin Godo, Toro dhe Madhi
Deklarata e djeshme e Kryeministrit Sali Berisha se në Shqipëri ka më shumë pronarë të paligjshëm, se sa të ligjshëm, sjell reagimin e atyre që janë njohur si “avokatë” të çështjes së pronës. Në një forum të organizuar nga “Shqip”, komentojnë mbi këtë çështje Arjan Madhi, Sabri Godo dhe Agim Toro. Secili prej tyre analizon ecurinë e trajtimit të temës së pronësisë dhe situatën në të cilën ndodhet vendi.
Arjan Madhi
Ajo që ne kemi besuar vazhdimisht, është fakti që me pronat është abuzuar, por sigurisht që ne nuk kemi mundur të përcaktojmë se cilat janë subjektet që kanë abuzuar. Me ndihmën e ligjit, me verifikimin e titujve të pronësisë, sigurisht ndihmohet për një informacion më të plotë. Në këtë kuptim, unë në asnjë rast nuk do të kisha rezerva lidhur me deklarimin se është abuzuar me pronat. Republikanët kanë qenë të bindur dhe kanë artikuluar në konferenca shtypi dhe më gjerë se kaq, që ka abuzime të skajshme lidhur me çështjet e pronësisë dhe duhet urgjentisht të ndërmerreshin një sërë iniciativash që do të mund, në radhë të parë, të evidentonin pronat që janë abuzuar dhe në radhë të dytë personat përgjegjës që kanë abuzuar me to. Në këtë kuptim, ne ndajmë të njëjtin qëndrim për sa u përket elementëve konkretë. Sigurisht kjo nuk është më çështje e jona, por ne besojmë sinqerisht në atë çfarë ka deklaruar Kryeministri, sepse përputhet me qëndrimet tona. Për sa i përket operimit me ligje të ndryshme, të cilat do të mund të evidentonin saktësisht atë çfarë është abuzuar, unë do të thosha se shpresoj të bëjnë edhe 12 ligje që të mund të mbyllet shtegu i abuzimeve.
Agim Toro
Unë mendoj që pronarët e paligjshëm janë pjellë e politikave që kanë zaptuar të dyja partitë politike për çështjet e pronave, sepse ne kemi theksuar gjithmonë se qeveria shqiptare disponon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm se kujt ia ka marrë pronën. Dhe që në fillim ne theksuam që shteti në radhë të parë të mbronte pronat e veta, dhe pastaj me anë të gjithë dokumentacionit që disponon të përcaktonte pronat që u kishte marrë të tjerëve dhe ka detyrim për t’ua kthyer. Realisht ajo çfarë ka ndodhur me dokumentacionin e pronësisë, sidomos me dokumentet e qarqeve, të cilat u goditën dhe asgjësuan, një pjesë e dokumentacioneve sidomos në ngjarjet e 1997, është e rëndë. Pra njerëz të korruptuar, duke gjetur një ambient të përshtatshëm me anë të dokumentacioneve të falsifikuara, kanë fituar prona sidomos në zona me interes të madh ekonomik dhe në zona turistike. Ne si shoqatë e kemi ngritur gjithmonë këtë problem dhe janë të gjitha mundësitë, pasi në arkivin e shtetit ekziston dokumentacioni i pronësisë që shteti t’i verifikojë, që shteti t’i konstatojë dhe godasë këto falsifikime, sepse janë po institucionet shtetërore që kanë bërë të mundur që këta të lulëzojnë me dokumente false. Në këtë aspekt, shteti ka pasur denoncime. Ka denoncime nga pronarët, por pjesa korruptive e ka dominuar, ç’është e vërteta, deri tani situatën e pronave dhe ka bërë që të ketë një ambient ku të tillë njerëz me dokumente të falsifikuara të livadhisin. Mesazhi im është ky: që shteti i ka të gjitha mundësitë që këta njerëz t’i godasë dhe mos të bëhet strehë e tyre, sepse deri më tani ka qenë administrata që është marrë me to, jo vetëm ajo aktuale, por gjatë kësaj periudhe, që ka bërë të mundur që këta lloj njerëzish të livadhisin. Unë nuk mendoj që janë shumica që nuk janë pronarë, përkundrazi, shumica janë pronarë, por pronarët e vërtetë vazhdojnë sorollaten, vazhdojnë të mos gjejnë terrenin e duhur dhe të mbrohen nga administrata shtetërore për të fituar të drejtën e tyre. Denoncime janë bërë nga pronarët, por këtu duhet thënë që edhe gjyqësori vepron jashtëzakonisht ngadalë dhe jashtëzakonisht keq, ku përfshihet edhe prokuroria, e cila për shembull, krimet e falsifitetit i ka amnistuar dhe nuk dënohen, nuk i konsideron çështje penale. është si të thuash se veprimtaria e këtyre njerëzve me dokumentacion të falsifikuar ka gjetur një ambient të shkëlqyer për të zhvilluar aktivitetin e tyre, duke filluar nga dëmtimet e dokumentacioneve, duke vazhduar me administratën që merret me kthimin dhe kompensimin e pronave, e cila shpesh ka qenë e korruptuar dhe është e korruptuar, siç flitet nga të gjithë njerëzit. Pastaj, duke përfunduar tek institucionet që duhet t’i ndëshkojnë, prokuroria, gjykata, e cila vepron ngadalë, e për të mos thënë pastaj që Parlamenti shqiptar ka miratuar ligje për t’i amnistuar këta lloj njerëzish. Ne kemi shumë raste që i kemi denoncuar realisht, ka vite që i kemi denoncuar dhe janë konstatuar, por veprime konkrete nuk shikojmë dhe nuk dimë që të jetë dënuar njeri për këtë qëllim.
Sabri Godo
Nëse përmbajtja dhe qëllimi i tij është të nxisë denoncimet për pronat e vjedhura, unë e shikoj si një gjë të mirë, sepse dihet që me pronat është bërë një grabitje në gjithë territorin e vendit dhe shumë gjëra janë shtypur nga sipër, janë shtypur vlerat e protestës, ose janë djegur mënyrat për të realizuar ankimimet e pronarëve të ligjshëm. Do të ishte një gjë e mirë në rast se inkurajoheshin ata që kanë pësuar padrejtësi, që kërkojnë atë që u takon.






#