Në kulmin e debatit për vettingun në politikë, një nismë kjo e propozuar nga Partia Demokratike, nga rivalët e tyre të majtë është bërë sot në Parlament një tjetër propozim surprizë.


Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe tha se përveç vettingut në drejtësi dhe atij në politikë, duhet që të bëhet vetting, pra rivlerësim i figurës edhe për pronarët e lojërave të fatit, pasi sipas tij në këtë biznes ka hyrë krimi i organizuar.


Sipas Braçes, pronarët e kompanive të basteve dhe kazinove duhet ti nënshtrohen hetimit të pasurive , pasi kanë vite që kryejë evazion fiskal.


Krimi i organizuar ka hyrë në biznesin e lojërave të fatit. Duhet vetting për të gjithë pronarët e lojërave të fatit. Paraja e luajtur në këto aktivitete është deri 13-17 miliardë lekë. Ajo që bie në sy është që shifra është e njëjtë, që nga 2011, 2012 dhe deri në 2018, tha Braçe.


Më tej kreu i Komisionit të Ekonomisë ka kritikuar dhe strukturat qeveritare se kanë toleruar evazionin fiskal që kryejnë lojërat e fatit.


Evazioni fiskali i lojërave të fatit është dramatik në këto vite. Normat e fitimit të lojërave të fatit me zor arrijnë në 8-9%, u shpreh deputeti i PS.


13 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)