Autori i Lajmit: Redaksia




Vizita historike e Kryeministrit turk në Greqi duket se nuk është pritur mirë nga qytetarët grekë. Edhe pse nga disa është cilësuar si historike, shumë të tjerë kanë protestuar, duke djegur edhe flamurin turk në një nga rrugët e Athinës. Sipas CNN turk, një grup protestuesish grekë kanë djegur dje flamurin turk në shenjë proteste të vizitës së Kryeministrit turk në një nga rrugë e Athinës. “Deti Egje u përket grekëve”, shkruhej në një prej pankartave, të cilat u shpërndanë menjëherë pas ndërhyrjes së policisë, në mënyrë që të mos lejohej acarimi i mëtejshëm i situatës për të mos cenuar vizitën historike. Është bërë një hap i madh për paqen në rajon dhe stabilitetin, thuhej në një nga deklaratat e lëshuara nga dy liderët. Gjatë një interviste për një media greke, Erdogan është shprehur se vizitoi Greqinë për të shprehur solidaritetin me Greqinë e prekur nga kriza. Edhe analistët grekë janë shprehu tepër skeptikë për këtë vizitë. Ata kanë thënë se kjo vizitë ka si synim arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e Qipros, pasi vetëm një ditë më parë, Erdogan kreu një vizitë në Qipro, ku u takua edhe me liderin turk të këtij shteti.

Vizita

Vizitë historike në Greqi, kështu e ka cilësuar kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, vizitën e tij në shtetin fqinj, vizita e parë zyrtare e një kryeministri turk që prej vitit 2004. Në një klimë mjaft të ngrohtë është zhvilluar takimi mes Erdoganit dhe kryeministrit grek, Jorgos Papandreu, ku janë diskutuar çështje me rëndësi për të dyja vendet dhe ku janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi. Transporti, infrastruktura, kultura, turizmi, edukimi, policia, shërbimet emergjente, energjia dhe mjedisi, ishin disa prej çështjeve të trajtuara nga dy kryeministrat. Erdogan shoqërohej në këtë vizitë nga 10 ministra dhe 80 biznesmenë. “Vizita jonë në Athinë ka një rëndësi të veçantë. Kemi rastin të diskutojmë tema politike, ushtarake, ekonomike, turistike, që kanë interes të përbashkët për të dyja vendet”,- theksoi Kryeministri turk. “Sy dy vende fqinje, duhet të kemi një të ardhme paqësore edhe më të mirë. Jemi fqinje dhe duhet të kemi marrëdhënie të mira”,- deklaroi Erdogan.

Protestat

Përveç protestave kundër vizitës së Erdoganit, Greqia është përfshirë sërish dje nga protesta kundër masave financiare të ndërmarra nga qeveria greke. Dhjetëra, mijëra mbështetës të Partisë Komuniste marshuan dje përpara Parlamentit grek në demonstratën e radhës kundër reformave fiskale. Kryetarja Aleka Papariga iu drejtua simpatizantëve përpara protestës, duke thënë se këto masa do të reduktojnë edhe më shumë standardin e jetesës së grekëve dhe po detyrojnë të varfrit të paguajnë borxhet e vendit. Partia Komuniste votoi kundër planit financiar të qeverisë Papandreu dhe refuzoi të marrë pjesë në takimin e thirrur prej tij për arritjen e një konsensusi politik në vend. Protestuesit thirrën slogane të shumtë kundër Bashkimit Evropian dhe FMN-së, që, sipas tyre, përfaqësojnë të drejtat e bankierëve dhe kapitalistëve e jo të punëtorëve. Me sloganin “Populli do ta gjejë zgjidhjen”, ata marshuan drejt ndërtesës së Parlamentit, duke kërkuar respektimin e të drejtave të klasës punëtore. Partia Komuniste dhe grupi i saj i sindikatave PAME kanë qenë në krye të demonstratave që janë mbajtur në Greqi, që kur kryeministri Papandreu njoftoi masat e reja financiare me qëllim nxjerrjen e vendit nga kriza.



Ky lajm është publikuar: 16/05/2010