Seanca parlamentare e paracaktuar për tu zhvilluar më 5 mars pritet të nxjerrë sërish në shesh Partinë Demokratike dhe aleatët e saj, pasi përpara Kuvendit do të kërkohet rrëzimi i qeverisë së Edi Ramës.


Gjithçka është e parashikuar në skenarët që opozita ka formuluar për aksionin e saj dhe policia pritet të ketë të njëjtin reagim si më 16, 21 dhe 26 shkurt, duke ju përgjigjur protestuesve me gaz lotsjellës.


Teksa na ndajnë edhe 3 ditë nga tubimi i radhës duket se nën rrogoz është regjistruar një përplasje e ashpër me deklarata ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Partisë Demokratike.


Uniformat Blu me një reagim zyrtar ia kanë mohuar opozitës lejen për protestën e 5 marsit para Parlamentit.


Në dokumentin e firmosur nga Drejtori i Policisë së Tiranës Kastriot Skënderaj, thuhet se tubimi pengon hyrjen në Kuvend të deputetëve dhe vë në rrezik jetën e tyre. Policia gjithashtu konstaton se protesta cenon sigurinë kombëtare.


PËRMBAJTJA E LETRËS:


Zhvillimi i tubimit të kërkuar nga subjekti Partia Demokratike e Shqipërisë, në vendin rruga George Ë. Bush, Shëtitorja Murat Toptani (Pedonale), Lulishtja përpara sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, Sheshi Fan S. Noli cenon sigurinë e Institucionit të Rëndësisë së veçantë, Kuvendi i Shqipërisë, pengon hyrjet dhe daljet e anëtarëve të qeverisë, deputetëve, administratës si dhe rrezikon jetën e tyre, pengon veprimtarinë e ligjshme të Kuvendit, pasi më datë 5.3.2019 ora 10:00 do të zhvillohet seancë plenare, sa më sipër; Vendosa: Në zbatim të germës a të nenit 6 të Ligjit Nr. 8773, datë 23.04.2001 për tubimet, të ndaloj zhvillimin e tubimit të kërkuar nga ana Juaj në datën 05.03.2019, ora 9:00, në vendin e përcaktuar në kërkesë.







Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, kërkon mirëkuptimin tuaj, për zhvillimin e një tubimi të qetë e normal në një vend tjetër të përshtatshëm pa cenuar rendin dhe duke zbatuar kërkesat e Ligjit nr.8773, datë 23.04.2001, datë 23.04.2001 Për tubimet.


Ju rikujtojmë se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori, drejtues i tubimit dhe pjesëmarrësi në tubim, do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale bazuar në Ligjin nr.8773, datë 23.04.2001 Për tubimet, thuhet në vendimin e policisë.


Por Partia Demokratike i është përgjigjur policisë, duke e akuzuar institucionin  në fjalë se po shkel Kushtetutën duke mos lejuar protestën. Sipas tyre në asnjë prej protestave të zhvilluara nuk janë dëmtuar policë.


Në përputhje me nenin 47 të Kushtetutës dhe nenin 5 të ligjit Nr.8773, datë 23.04.2001 Për tubimet, ju njoftojmë se tubimi do të zhvillohet sipas njoftimit të bërë me shkresën tonë nr.31 Prot., datë 01.03.2019. Çdo pengim i lirisë së ushtrimit të tubimit sipas këtij njoftimi, në datën 5 mars 2019 dhe pasojave që mund të shkaktojë ky fakt gjatë ditës së tubimit është nën përgjegjësinë tuaj personale dhe institucionale. Ju bëjmë, gjithashtu me dije se jeni në shkelje flagrante të ligjit dhe se tashmë duhet të kishit përmbushur përgjegjësinë tuaj për të na njoftuar urdhrin zyrtar për caktimin e oficerit të policisë që do të jetë përgjegjës për të ndihmuar zhvillimin e tubimit, thuhet në reagimin e PD.


PD gjithashtu deklaron se protesta do të zhvillohet edhe pa marrë një leje të posaçme nga policia.


Për të gjitha sa më lart, njoftimi ynë, sipas detyrimit që parashikon neni 5 i ligjit nr.8773/2001, konsiderohet nga ky moment i përmbushur dhe tubimi do të realizohet më datë 5 mars 2019, në sheshin dhe vendkalimin publik: Rruga George Ë.Bush, Shëtitorja Murat Toptani (Pedonalja), lulishtja përpara sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, Sheshi Fan S.Noli dhe bulevardi Zhan DArk. Caktimi i vendit të tubimit, është e drejtë kushtetuese e organizatorit dhe drejtuesit të tubimit. Kjo është arsyeja përse ligji parashikon njoftimin dhe jo kërkesën për leje në rastin e zhvillimit të një tubimi, thuhet në letrën e sekretarit të përgjithshëm të PD Gazment Bardhi.


Gazeta Shqip