TIRANË - Drejtuesit e taksive me licencë paralajmërojnë protesta në mbarë vendin, pasi ndihen të pambrojtur nga strukturat shtetërore ku dhe paguajnë detyrimet ndaj shtetit. Takistë me licencë thonë se po falimentojnë pasi policia, sipas tyre, nuk ndërhyn për t’i bllokuar ato pa licencë. Madje, në shumë raste, punonjës të saj, pasi lënë orarin zyrtar dhe zhveshin uniformën e policit, punojnë si taksistë. “Sa lëmë punën ne, fillon taksia tjetër pa licencë. Të gjithë policët punojnë me taksi, me targa false”, - deklaron një taksist. Çdokush që blen një makinë, mjafton ta lyejë atë me të verdhë, të vendosë një targë false dhe punon taksi, pasi askush nuk i ndalon.
Shoqata e taksive në Tiranë ka bërë të gjitha përpjekjet për të vënë në lëvizje strukturat shtetërore, por në vend që të pakësohen, taksistë e palicencuara janë shtuar më shumë. “Në të gjitha rrugët e Tiranës shohim taksi private të cilat ushtrojnë punën në mënyrë të paligjshme. Nëse ne e paguajmë një ditë me vonesë taksën, hamë 100 mijë lekë gjobë. Ndërsa ato s’i prek askush”, - deklaron Gëzim Bardhi, përfaqësues i Shoqatës së Taksive. Nëe apel ata e lëshojnë dhe për qytetarët, që të përdorin taksitë e licencuara.


10 Shkurt 2010