Presidenti Ilir Meta ka reaguar për herë të parë lidhur me protestën e studentëve dhe thotë se po ndjek me vëmendje.


Duke vlerësuar situatën e krijuar, Presidenti Meta u bën thirrje autoriteteve dhe institucioneve përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve që shqetësojnë studentët, në përputhje me kuadrin ligjor dhe të frymës së dialogut për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë në interesin më të mirë publik.


Duhen bërë me shumë përpjekje për një arsim dhe edukim sa më cilësor, që garanton shanse të barabarta për të gjithë, pavarësisht mundësive të tyre financiare. Rinia është aseti ynë më i çmuar kombëtar, ndaj dhe kujdesi ndaj shqetësimeve dhe aspiratave të tyre duhet të jetë prioritet i të gjithëve, sidomos i institucioneve, thuhet në qëndrimin e Presidencës.


Studentët e Universiteteve publike në Tiranë, prej orësh vijojnë protestën para ministrisë së Arsimit.


Madje në mënyrë simbolike ata kanë nxjerrë edhe kartonë të kuq, ndaj ministres së Arsimit Lindita Nikolla, kundër tarifave të larta.


Studentëve të Tiranës iu janë bashkuar edhe ata të rretheve, të Korçës, Durrësit, Elbasanit dhe Shkodrës, duke u bërë bashkë në kërkesat e tyre dhe duke bojkotuar mësimin.


Të rinjtë kërkojnë përgjysmim të tarifave vjetore si dhe heqjen e tarifave shtesë prej 670 lekësh për kredit për provimet e mbartura.


6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)