Në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë, veriu i Kosovës, ka pasur protesta të reja të serbëve kundër ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve, të shkatërruara nga lufta e vitit ‘99. Rreth 100 protestues serbë janë shpërndarë me forcë nga organet policore të EULEX-it dhe ato të Kosovës, pasi refuzuan t’iu binden urdhrave të policisë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, tha se pas mosbindjes së serbëve për të zbatuar urdhrat e policisë, është dashur që të përdoret gazi lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit serbë. “Rreth orës 10:30, diku afërsisht 100 qytetarë serbë janë tubuar në përpjekje të pengimit të punimeve të shtëpive të shqiptarëve te lagjja ‘Kroi i Vitakut’. Për shkak të mosbindjes së tyre, intervenimi ka qenë i domosdoshëm. Pasi ata nuk i kanë përfillur urdhrat policore, forcat speciale të policisë së EULEX-it kanë qenë të detyruara të përdorin gazin lotsjellës për t’i zmbrapsur protestuesit. E gjithë situata është përcjellë nga afër edhe nga pjesëtarët e KFOR-it”, tha Hoti. Në atë pjesë janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri. Sipas mediave serbe, një serb ka pësuar lëndime gjatë një shkëmbimi zjarri mes grupit të banorëve serbë që po protestonin.