Në shtetin amerikan të Virxhinia po zhvillohen protesta të dhunshme të supremacistëve të bardhë, të cilët u përleshën me kundërprotestues në rrugët përreth një parku, ku po mbahej një miting.


Presidenti Trump e dënoi dhunën në protesta me një koment në Twitter. “Nuk ka vend për këtë lloj dhune”, shkruante presidenti.


Guvernatori i Virxhinias Terry McAuliffe tha në Twitter se kishte deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme “për t’i ardhur në ndihmë shtetit, që t’i përgjigjet dhunës që ndodhi në një miting të ekstremit të djathtë në Sharlotsville”.


“Aktet e retorikës në Sharlotsville gjatë 24 orëve të fundit janë të papranueshme dhe duhet të marrin fund. E drejta e fjalës nuk është e drejtë për dhunë”, shkruante guvernatori i Virxhinias.


Protestat po organizohen pas zemërimit që ngjalli një plan për heqjen e një statuje të gjeneralit të periudhës së Luftës Civile Amerikane, Robert E. Lee, i cili ishte komandant i ushtrisë së Konfederatës së Virginias Veriore në vitet 1862 deri në 1865.


12 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)