“Shqipërinë e mori turku
I vu zjarr
Shqiptar mos rri,
po duku,
shqiptar!
Mjaft punove për të tjerë,
o fatkeq,
kujto vendin ku ke lerë
dhe po heq...”

Këto janë vargjet e njërës prej poezive që e kanë renditur Andon Z. Çajupin në panteonin e rilindësve shqiptarë, por edhe që shpreh frymën ideologjike të korifenjve të kësaj lëvizjeje të madhe kombëtare, të De Radës, Naimit, Fishtës, etj. Lëvizja e tyre për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve që jetuan 500 vjet nën shtypjen dhe robërinë e Turqisë, pasoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë (1912). Çajupi është përkujtuar dje me rastin e 100-vjetorit të lindjes nga shoqata kulturore “Zagoria” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë. Intelektualët dhe akademikët e kanë kujtuar me nderim veprën e Çajupit.

Akademiku Jorgo Bulo e të tjerë, pasi kanë folur për vlerat letrare dhe patriotike të Çajupit, kanë përmendur edhe kontributin e akademikut të ndjerë Dhimitër Shuteriqi që ka bërë një studim të plotë duke e trajtuar jetën dhe krijimtarinë e rilindësit shqiptar në të gjitha dimensionet. Ndërkohë, shoqata “Zagoria” shfrytëzoi rastin të shpreh protestën ndaj shkrimtarit kosovar Milazim Krasniqi, i cili në muajin shkurt të këtij viti në emisionin Nektar të TV Clan Kosova, me temë “Të vërtetat e një perandorie” ka thënë se “Çajupi është idiot”.

Shoqata kulturore Zagoria protestoi dje ndaj qëndrimit të Krasniqit që sipas tyre “ka fyer Çajupin, për të mbajtur anën e pushtuesit turk”, dhe ka “mbrojtur tezën e historianëve turq se Turqia nuk e ka pushtuar popullin shqiptar”. “Kjo është një fyerje e rëndë, sepse përmes poezisë së tij Çajupi bën thirrje të luftojmë pushtuesin 5-shekullor”, shprehet kryetari i shoqatës Andon Pango, duke e quajtur qëndrimin e Krasniqit si një provokim të rëndë ndaj vlerave tona kulturore dhe kombëtare. “Qarkullon edhe një studim ku M. Krasniqi mban qëndrim fyes ndaj veprës së Çajupit, por përmes Çajupit ai ka fyer tërë epokën e Rilindjes Kombëtare” shprehet kryetari i shoqatës. Pas kësaj studiuesit kanë dalë në konkluzion se “Çajupi është pjesë e rëndësishme e epokës së Rilindjes Kombëtare, ndaj askush nuk mund ta errësojë atë dhe veprën e tij”.
 
Shkrimi u publikua sot (28.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)