Spitali Universitar i Traumës në Tiranë, njëkohësisht qendra e vetme e traumës në vend, sjell për pacientët një risi; protezat ortopedike, për të cilat ata nuk do të kenë nevojë të paguajnë, pasi janë falas.

Ky investim i qeverisë me vlerë rreth 1 milion dollarë, shtrihet në të njëjtën kohë edhe në shërbimin e ortopedisë në QSUT dhe spitalin rajonal të Durrësit.

Deri më sot pacientët që kishin nevojë për proteza, ishin të detyruar që t'i paguanin vetë ato me një çmim dy herë me të lartë sesa ai që shpenzohet aktualisht (nga buxheti i shtetit) për blerjen e tyre. Ndërsa tani protezat, përveçse cilësore dhe të garantuara, për pacientët, do t'u kursejnë buxheteve të tyre familjare rreth 2 milionë dollarë në vit.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishte sot në Spitalin e Traumës në Tiranë, për të parë nga afër shërbimin më të ri për pacientët që kanë nevojë për pajisjet mjekësore të implantueshme. Gjatë vizitës, kryeministri u takua me një paciente, e cila i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, duke vendosur një protezë falas. "Kisha 10 vjet që se bëja dot. Nuk e blija dot protezën. Por tani nuk kisha rrugë zgjidhje, nuk duroja dot më.", - u shpreh zonja, e cila për një kohë të gjatë i është dashur të përballojë dhimbjet fizike si pasojë e pamundësisë financiare për të blerë një protezë.

Më pas, kryeministri Edi Rama, zhvilloi një mbledhje pune me drejtues dhe mjekë të Spitalit të Traumës, gjatë së cilës u paraqitën dhe u diskutuan projektet e reja për rinovimin dhe rritjen e eficencës së spitalit, i cili në tre vitet e fundit, falë investimeve, ka pësuar një ndryshim radikal në infrastrukturën dhe funksionimin e tij, duke u shndërruar nga një institucion shëndetësor i harruar, në një qendër të rëndësishme që ofron shërbime moderne dhe bashkohore. Për këto ndryshime shprehen vetë mjekët, puna e të cilëve është lehtësuar dhe përmirësuar ndjeshëm. "Për këto 3 vjet të paktën, nga 2013 e këtej është bërë një revolucion shumë i madh nga Ministria e Shëndetësisë. Ky spital ka qenë mendoj unë në qendër të vëmendjes, që më përpara ka pas munguar kjo. Falë furnizimeve me medikamente, me mjete dhe kjo e fundit tashmë me këto pllakat, vidat dhe protezat do të jetë gjë e paimagjinueshme për ne mjekët.", - u shpreh një prej tyre.

Ndër projektet e reja të rëndëishme për të cilat u diskutuan në mbledhje ishin edhe projekti i recepsionit dhe hollit të ri të pritjes i cili do të ndihmojë në përmirësimin e komunikimit me qytetarët, pacientët dhe familjarët; projekti i i mjediseve të reja të fizioterapisë; kompletimi i sistemit të ajrit të kondicionuar të reanimacionit të përgjithshëm, etj.

Gjatë këtyre tre viteve në spitalin e traumës janë investuar rreth 300 milionë lekë të reja në projekte të ndryshme, pajisje dhe teknologji. Një prej tyre është rezonanca magnetike, një risi që nuk ka ekzistuar më parë, në këtë spital, duke bërë që pacientët të kursejnë kohë dhe shpenzime, pa qenë e nevojshme të drejtohen në spitalet private apo në QSUT. "Kjo është pajisja e rezonancës magnetike, e vënë në punë në spital para rreth 14 muajsh. Spitali, edhe pse ka qënë spital traume nuk ka patur rezonancë magnetike. Nuk ka patur ekzaminime. Shpesh herë të sëmurët detyroheshin të lëviznin në spitale të tjera ose në klinika private. Krijonte dhe probleme në komunikimin me familjarët. Sot, plotësojmë nevojat që kemi këtu për trauma, por duke qenë se ka kapacitet, ky spital na mbulon dhe nevojat që kemi për rezonancë nga sistemi i referimit për disa qarqe të vendit, në mënyrë që radhën e pritjes ta mbajmë jo më shumë se një muaj në gjithë Shqipërinë dhe praktikisht nga korriku i vitit të kaluar, kemi arritur ta mbajmë. Pra, rezonanca magnetike në gjithë Shqipërinë, kur është me planifikim nuk zgjat më shumë se 1 muaj për këdo.", - shpjegoi ministri Beqaj.

Ndër pajisjet e tjera janë dhe skaneri i ri dhe monitorët modern në sallën e reanimacionit, për të cilët drejtori i spitalit shpjegon se mundësojnë monitorimin dhe japin të dhëna për gjendjen e pacientëve në cdo moment. "Të sëmurët janë të gjithë të monitoruar atje. Këtu rrinë 2 mjekë. Pra çdo moment nëpërmjet kësaj pajisje mund të marrin informacion për secilin nga të sëmurët. Plus ka qënë problem për respiratorët. Këtu gjatë verës shkojnë 23-24 të sëmurë në gjendje shumë të rëndë. Në atë kohë janë shtuar nga ministria 6 respiratorë të rinj."

Për pajisjen e skanerit ministri Beqaj shprehet se ajo është e teknologjisë dhe cilësisë së lartë. "Nga vjet kemi këtë skaner të ri që është vënë këtu dhe e kemi vendosur enkas në këtë pozicion të spitalit sepse këtu kemi urgjencën e këtu kemi reanimacion në mënyrë që të shmangim sa më shumë lëvizjen që duhet ti bëhet të sëmurëve të ndryshëm. Edhe kjo është goxha pajisje e mirë e cilësisë së lartë."

Gjithashtu edhe shërbimi i kirurgjisë ortopedike ka një përmirësim të ndjeshëm, falë përfitimit nga partneriteti publik-privat të shërbimit të integruar të instrumenteve kirurgjikalë.