Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, deklaroi se ka informacione “për qarkullimin përmes mediave sociale për përpjekjet e organizimit të një karvani refugjatësh nga Greqia drejt Europës. Ai la të kuptohet që Shqipëria ka kapacitete të kufizuara për të pritur një fluks potencial refugjatësh që mund të kalojnë në Shqipëri përmes kufirit të saj me Greqinë kur vuri në dukje se Shqipëria ka ato kapacitete që ka dhe nuk mund t’i shtojë sa herë që aktivizohen valë të tilla refugjatësh. Deklaratat Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i bëri në Tiranë, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun dhe  zv.kryeministrin e  Çekisë, Jan Hamáek.


FRONTEX në kufirin e Shqipërisë me Greqinë


Ministri i Brendshëm Lleshaj e quajti menaxhimin e flukseve të refugjatëve, një sfidë shumë dimensionale dhe të vështirë për t’u menaxhuar dhe situata është e vështirë për t’u kontrolluar nga një vend i vetëm”.


“Situata po mbahet në kontroll të vazhdueshëm. Shqipëria ka kapacitete për të marrë pjesë në kontroll, por sigurisht nuk mjafton vetëm pjesa jonë. Kjo është një ështje e madhe që tejkalon përmasat e Shqipërisë dhe rajonit, tha Lleshaj.


Ai solli në vëmendje situatën e vështirë në vitin 2015, i cilësuar si viti i krizës në Europë për shkak të qindra mijëra refugjatëve nga Siria, Afganistani dhe Iraku, përmes Detit Mesdhe vërshuan në Europë për të shpëtuar nga lufta dhe persekutimi. Në nëntor 2015 rreth 160 mijë refugjatë u sistemuan në qendrat pritëse të Greqisë. Por ngjarjet e fundit në kufirin greko-shqiptar tregojnë se synim i tyre është të ikin në Europën e Veriut, përmes Shqipërisë apo Maqedonisë. A mund të mbahet nën kontroll situate a e një vërshimi të mundshëm të tyre në Shqipëri? Ministri i Brendshëm Lleshaj jep një përgjigje pozitive të kushtëzuar nga bashkëpunimi me partnerët europianë.


“Shqipëria do t’ia dalë të menaxhojë situatën dhe ta mbajë nën kontroll pasi është më e koordinuar me partnerët e saj europianë dhe FRONTEX që aktualisht ndodhet në kufirin e përbashkët të Shqipërisë me Greqinë.


Siguri kufijsh që vjen me FRONTEX


Shqipëria është vendi i parë jo anëtar i BE që nënshkroi në vitin e kaluar marrëveshjen e bashkëpunimit me BE për menaxhimin e kufijve, e njohur si marrëveshja me FRONTEX, (European Border and Coast Guard Agency). Kjo marrëveshje i lejon BE të koordinojë bashkëpunimin operacional me Shqipërinë për menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE. Në fokus të bashkëpunimit është migrimi ilegal, flukset e emigrantëve dhe krimi ndërkufitar. Që nga marrëveshja me FRONTEX, vitin e kaluar, është rritur asistenca teknike dhe operacionale e BE në kufijtë e Shqipërisë. Menaxhim efektiv i kufijve të jashtëm të BE, mbajtja nën kontroll e flukseve potenciale emigratore, lufta kundër kontrabandës së emigrantëve vazhdojnë të jenë sfida të rëndësishme për Shqipërinë, rajonin dhe BE.


DW